Kërkohet përjashtimi i publikut në gjykimin ndaj zyrtares së BE-së

Prishtinë | 20 Shk 2023 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar (zyrtare e Bashkimit Evropian), avokati Leutrim Syla, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kërkoi përjashtimin e publikut nga gjykimi ndaj të akuzuares Albina Nura, me arsyetimin se publikimi i të dhënave, informatave apo provave mund të dëmtojë raportet e shtetit të Kosovës me BE-në.

Kërkesën e avokatit Syla, e mbështeti edhe prokurori special Naim Abazi, duke shtuar se kërkesa është legjitime dhe kërkoi që e njëjta të aprovohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Nura, avokati Kujtim Kërveshi, kundërshtoi kërkesën, me arsye se kjo kërkesë nuk ka mbështetje në dispozitat ligjore, duke shtuar se kjo llogaritet si tendencë për të fshehur një proces të padrejtë ndaj klientes së tij, Nura.

“Këtë kërkesë s’kam si me vlerësu ndryshe, veç si një lloj përpjekje që kjo çka ka ndodhë deri tash mos m’u marrë vesh në publik”, tha avokati Kërveshi.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili nxori aktvendim dhe pas këshillimit me trupin gjykues vendosi që kërkesën e palës së dëmtuar ta refuzojë. Ai tha se avokati Syla nuk ka përmendur se cilat janë informatat që nuk mund të publikohen.

“Lidhur me propozimin për përjashtimin e publikut, merr aktvendim, refuzohet kërkesa për përjashtimin e publikut dhe pas prezantimit të provave që konsiderohet se nuk janë publike mundet që në seancat e radhës të përjashtohet publiku”, tha gjykatësi Ismaili.

Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Ilir Reçica, i cili gjatë dëshmisë së tij tha se as nuk e ka parë më herët dhe as nuk e njeh të akuzuarën Nura.

I njëjti shtoi se kishte punuar në projekte të caktuara me Komisioni Evropian, qoftë si përkthyes apo ekspert vendor dhe atë direkt i angazhuar apo edhe përmes organizatave që fitonin projektet e caktuara.

Dëshmitari Reçica deklaroi po ashtu se procedura e përzgjedhjes së tij ka shkuar përmes ftesës nga individë të caktuar, pasi që ka pasur raporte vazhdimisht me ta, duke sqaruar se bashkërisht kanë qenë të angazhuar në projekte të ndryshme evropiane.

Gjatë periudhës sa kishte punuar si përkthyes apo ekspert vendor, dëshmitari Reçica tha se në total kishte marrë 34 mijë euro përmes angazhimeve të tij në projektet e caktuara.

Ai theksoi se nuk ka mbajtur asnjë punë dytësore sepse kjo assesi nuk i lejohej.

Avokati Kërveshi e pyeti dëshmitarin Reçica se a e kishte kontaktuar ai personalisht apo edhe dikush nga mbrojtja e të akuzuarës Nura lidhur me dëshminë që po e jep sot.

“Jo, asnjëherë”, tha dëshmitari Reçica.

Në fund të seancës u bë edhe kundërshtimi i provave materiale nga avokati Kërveshi, e cili kërkoi nga gjykata që t’i ndaj provat e kundërligjshme nga ky proces dhe se të njëjtat të përkthehen në shqip pasi që me t’u përkthyer do kuptohet hetimi i kundërligjshëm ndaj të akuzuarës Nura.

Pasi që nuk kishte dëshmitarë tjerë për t’u dëgjuar, seanca e radhës u caktua më 15 mars 2023.

Të ngjashme