Gjykimi për mashtrim me viza, hetuesi policor thotë se ish-deputeti e ka iniciuar rastin për të cilën tani akuzohet

Prishtinë | 22 Tet 2021 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Hetuesi policor E.B në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se vet i akuzuari M.Z e ka hapur rastin për të cilat tani po akuzohet.

Një deklaratë të tillë, dëshmitari E.B e ka dhënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, M.Z  dhe dy të tjerë E.K dhe I.K po akuzohen për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash.

Dëshmitari E.B ka thënë se nga viti 2011 e deri në fund të vitit 2017 kishte qenë Drejtor i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me gradën e nënkolonelit.

I akuzuari M.Z e pyeti se a i kujtohet një thirrje nga ana e tij në verën e vitit 2016 dhe cila kishte qenë arsyeja e telefonimit, për këtë dëshmitari E.B pohoi se i kujtohet thirrja dhe se i kujtohet që i akuzuari M.Z ia kishte konfirmuar se kishte qenë në një restorant në Klinë dhe që i kishte thënë se është me një qytetar, i cili dëshiron ta lajmërojë një rast se dikush ka marrë para në emër të tij.

“Në pamundësi për me i dërgu pjesëtarët e policisë në atë restorant ku ka deklaruar se është, e kam sugjeruar që ky bashkë me qytetarin që ka qenë me të, të paraqitet në zyrën e krimeve ekonomike dhe ta hapë rastin”, tha dëshmitari E.B.

Po ashtu, ai shtoi se i njëjti i ishte lajmëruar përsëri përmes telefonit dhe i kishte thënë se është në Prishtinë.

“Nuk e di sa ka qenë një javë apo 10 ditë, përsëri i njëjti më është lajmëruar përmes telefonit edhe më është lajmëruar që është në Prishtinë dhe ka thënë se po du me ardhë me lajmëru atë rastin për të cilin kemi biseduar përmes telefonit”, tha dëshmitari.

Tutje, dëshmitari E.B ka thënë se më vonë ishte informuar se pala ishte paraqitur te tani hetuesi policor A.N si dhe ishte intervistuar nga ana e pjesëtarëve hetues të policisë dhe ka shtuar se më tepër nuk di asgjë.

Në fund të deklarimit, dëshmitari E.B ka thënë se lidhur me këtë rast ishte liquar nga tani i akuzuari M.Z, e i cili sipas tij vet kishte shkuar dhe e kishte hapur rastin.

Gjatë kësaj seance, është dëgjuar edhe zyrtari policor A.N, i cili ka deklaruar e në stacionin policor, i akuzuari M.Z kishte shkuar me një qytetar si viktimë e këtij rasti, por ai ka shtuar se pas bisedës me të njëjtin kishin filluar edhe dyshimet ndaj tij.

“Ka ardhë me një person në cilësi të palës së dëmtuar ose të viktimës dhe pas bisedës që kemi zhvilluar në zyrën time M.Z është klasifikuar si i dyshuar, megjithatë nuk është marrë në pyetje sepse të dyshuarin policia edhe prokuroria e merr në pyetje pasi të sigurohen provat”, tha dëshmitari A.N.

Dëshmitari tha se i akuzuari M.Z atë ditë nuk është intervistuar, ngase atë mashtrim që e konsideron personi që ka qenë me të akuzuarin M.Z, e kishte shkaktuar një biznes, në tëcilin pronar ka qenë tani i akuzuari I.K bashkë me M.Z.

“Dhe se ne nuk e dinim rolin e tyre dhe se ishte faza shumë e hershme e hetimit, dhe për këtë arsye është dyshuar edhe M.Z pavarësisht se ky ka pretenduar se është mashtruar nga bashkëpronari i tij I.K.”, ka deklaruar dëshmitari A.N.

Tutje, dëshmitari A.N ka deklaruar se kishte pasur edhe një apo dy takime tjera me të njëjtin, pasi sipas tij i njëjti kishte shkuar në stacionin policor për të dorëzuar disa fatura.

Kurse, i pyetur nga i akuzuari M.Z, se lidhur me rastin a kanë siguruar ndonjë provë tjetër përpos provave të dorëzuara nga ai, dëshmitari A.N ka thënë se kanë siguruar edhe prova të tjera dhe atë marrjen në pyetje të shumë dëshmitarëve, marrjen në pyetje edhe të personave të tjerë, të cilët e kanë pasur rolin e vet në këtë proces, si dhe kanë siguruar të dhënat financiare për të akuzuarin M.Z, e të cilat sipas tij kanë qenë indikator të mashtrimit dhe pastrimit të parave.

Po ashtu, dëshmitari A.N ka thënë se transaksioni bankar është një indikator i pastrimit të parave, kur u pyet se a e konsiderojnë një transaksion bankar si provë për veprën penale të pastrimit të parave.

“Ai që ka bërë këtë transaksion, ekziston dyshimi se është duke u bërë pastrim parash dhe koha kur ka ndodhur dyshimi për mashtrim dhe këto transaksione bankare janë përputhur, për çka ne kemi dyshuar se këto para rrjedhin nga mashtrimi”, ka deklaruar dëshmitari A.N.

I akuzuari M.Z e pyeti dëshmitarin se nga mbi 900 dëshmitarë, a i kujtohet se ndonjëri nga ta ka deklaruar se e ka mashtruar (M.Z), dëshmitari A.N tha se është i njoftuar se shumë dëshmitarë kanë deklaruar se qysh janë shkuar e kanë dhënë para, por ka shtuar se për emrin e M.Z, nuk e di se a e kanë përmendur ndokush.

Ndërsa, i akuzuari M.Z e pyeti dëshmitarin se para se i njëjti që paraburgosej pse ka dalë lajmi në portalin “Insajder” dhe a është hetuar nga kush ka dalë ky lajm, ai deklaroi se prej tij nuk ka rrjedhë dhe nuk e ka hetuar këtë rast, sepse sipas tij kjo i bie si ta hetojë vetveten, ndërsa shtoi se kjo nuk është në kompetencë të tij.

I pyetur nga i akuzuarit I.K, se a i kujtohet që gjatë intervistimit në polici kishte poseduar dy telefona sipas sugjerimit të avokatit të tij, gjerman dhe që e ka incizuar intervistimin e tij, dëshmuari tha se nuk e di.

“Dhe të gjitha incizimet që i kam pasur në telefon m’i kanë fshi dhe për shkak të publikimeve të atyre incizimeve nga ana e portaleve mu ka shkatërruar jetën”, ka shtuar i akuzuari I.K.

Dëshmitari tutje ka thënë se transaksionet bankare janë dorëzuar më vonë, pas ushtrimit të kallëzimit penal.

Kurse, i pyetur nga anëtarja e trupit gjykues, gjykatëses Fatime Dërmaku, se cilat janë veprimet hetimore që i kanë çuar në konstatimin se M.Z dhe E.D e kanë kryer veprën penale të shpëlarjes së parave, dëshmitari ka thënë se janë transaksionet bankare.

Dëshmitari tha se kanë dyshuar se M.Z është marrë vesh me E.K që t’i pastrojë paratë, por kjo është vetëm supozim, ngase nuk kanë prova se M.Z ia ka dhënë paratë E.K

Tutje, në pyetjen  gjykatëses Dërmaku se a është e vërtetë se M.Z është i dyshuar për faktin se është bashkëpronar i kompanisë së tani të akuzuarit I.K, dëshmitari e pohoi dhe ka shtuar se nuk ka pasur prova ndaj të akuzuarit M.Z.

Seancat e radhës në këtë rast priten të mbahen më  26, 29 nëntor dhe më 14 dhjetor 2021.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit I.K, M.Z. dhe E.K. kanë kryer disa vepra penale.

I.K. dhe M.Z. akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.Ki & M.Z. Op”, si agjenci punësimi.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

I.K. dhe M.Z, akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.

Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.

Me këtë, I.K. dhe M.Z. akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.

I pandehuri I.K. akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.

Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit M.Z. dhe E.K. akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Kurse, i pandehuri M.Z. akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.

Të ngjashme