Këtë deklarim e dha dëshmitari Rami Badalli të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren në gjykimin ndaj Iran Badallit dhe Arben Gashit, të cilët po akuzohen për rastin e shpërthimit në Zhur, ku kishte vdekur polici Sami Thaçi.
Dëshmitari Rami Badalli deklaroi se të akuzuarin Iran Badalli e ka të afërm në lagje dhe se në janar 2020 gjersa ishte duke pirë kafe në qendër të fshatit Zhur Irani i kishte thënë se i duhet eksploziv me i thyer disa gurë e që ky i kishte thënë se Valbon Çollaku merret me thyerje të gurëve.
Pas kësaj me veturën e Iranit kishin shkuar deri në shtëpinë e Iran Badallit dhe se aty në veturë ishte edhe një person i ulur mbrapa ku kanë diskutuan për eksplozivin për me thy gur.
Ai deklaroi se arsyeja se pse Irani e kishte pyetur për eksplozivin ishte se vëllau i tij kishte punuar me deminim të eksplozivave dhe se ky meqenëse e njeh për një kohë të gjatë Iranin me të vërtet kishte menduar se eksplozivi i duhet për me thyer gur.
Dëshmitari Rami Badalli mohoi faktin se kishte shkuar së bashku me Iran Badalli dhe Arben Gashin tek shtëpia e Valbon Çollakut për të kërkuar kapsolla për eksploziv.
Ai shtoi se nuk ka qenë me Iranin kur ai e ka marr eksplozivin dhe se gjatë vizitës te Iran Badalli në paraburgim, ai i kishte treguar se e kishte marr eksplozivin prej Valbonit.
Tutje ai tha se kishte qenë në shtëpi te motra e Iran Badallit ku është takuar me burrin e saj Bekimin i cili e kishte thirrur për tu takuar por se çka kishte biseduar nuk e din pasi që ai e kishte pasur shqetësime prej tij dhe motrës së Iran Badallit duke insistuar që të ndërroj deklaratën, njofton betimiperdrejtesi.
Sipas tij, e gjithë kjo ka ndodhur 3-4 ditë para se motra e Iran Badallit, Hidajetja të jepte deklaratën e saj në Gjykatë, e se gjatë thirrjeve në telefon i kishte thënë “shpëtoje Iranin”.
Në fund tha se ai nuk i kishte thënë Hidajetes se Irani është i pafajshëm si dhe po ashtu nuk janë të vërteta disa nga deklarimet e saj të dhëna në gjykatë.
Dëshmitari pas pauzës së drekës deklaroi se ka pasur disa shqetësime shëndetësore dhe se kësisoj nuk mund të vazhdojë sot me dhënien e deklaratës.
Pas kësaj është vazhduar me marrjen në pyetje me dëshmitarin Faton Morina i cili deklaroi se duke marr parasysh raportin nga GPS-së vetura e marr me qira nga Arben Gashi ka lëvizur nga Prishtina e deri te momenti i kalimit të kufiririt në periudhën kohore prej orës 18:00 e deri në 20:47.
Ai shtoi se sipas sistemit të ndërtuar për GPS vetëm tregohet lëvizjet e veturës mirëpo nuk e tregon kahjen se nga ka lëvizuar apo si. Shtoi se nga qebaptore “ Bisa” e deri te shtëpia e Iran Badallit në Zhur është bërë një lëvizje por nuk përshkruhen se kah ka hyr në Zhur.
Tutje në gjykim, mbrojtësja e të akuzuarit Iran Badalli, avokate Emira Gazavaj Gashi propozoi që duhet që të bëhet një ekspertizë pranë Departamentit të Teknologjisë në AKF për të përcaktuar saktë drejtimin e lëvizjes së veturës “ Toyota” në ditën kritike.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta do të vazhdojë më 15 dhe 16 qershor 2022.
Ndryshe, sipas dispozitivit I të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi akuzohen se me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e një personi, lëndimeve të rënda dhe të lehta trupore të personave të tjerë.
Sipas aktakuzës, dy të pandehurit kah fillimi i muajit janar 2020 në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli ne fshatin Zhur Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor Sami Thaçi, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasor, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi kanë ka pësuar lëndime të rënda trupore si dhe fëmija S.B po ashtu ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa në dispozitivit II të aktakuzës thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.