Gjyqtari serb pas dekretimit: Jeta jonë profesionale po vazhdon aty ku ka mbetur

Prishtinë | 24 Tet 2017 | 11:20 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjyqtari Miroslav Ivanoviq, pas betimit tha se për të kjo është një ditë si çdo ditë tjetër dhe se nuk po ndihet se po fillon diçka e re, por thjeshtë po vazhdojnë jetën e tyre profesionale aty ku e kanë lënë, raporton Ekonomia Online.

“Ne jemi profesionistë që do të vazhdojnë aty ku ka mbetur puna. Ne jemi pjesë e grupit të caktuar që e di punën e vet andaj edhe ky betim është pjesë e kësaj asgjë e veçantë. Kjo ditë është si çdo tjetër, nuk ndjej se po filloj diçka të re por thjesht jeta jonë profesionale po vazhdon aty ku ka mbetur. Shpresoj se s’do të ketë telashe rreth asaj se si dikush do ta përjetojë këtë ditë. Gjithçka është në rregull”.

Prokurorët dhe gjyqtarë të komunitetit jo shumicë japin betimin para Presidentit Thaçi

Zyra e Presidentit për mes një komunikate për media ka njoftuar se është bërë dekretimi i 42 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve.

Presidenti Thaçi, pas ceremonisë së betimit, ka uruar të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, duke iu ofruar mbështetje në punën e tyre të përditshme.

“Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese, të gjithë përfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ. Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”, ka theksuar presidenti”.

Ai ka thënë se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës.

Sipas tij, Kosova në vazhdimësi ka bërë dhe po bën reforma në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial të funksionojë sa më mirë.

“Në këtë rrugëtim kemi pasur mbështetje edhe nga miqtë tonë ndërkombëtarë, të cilët i falënderojmë. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë rol të madh në jetën e qytetarëve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi, pa marrë parasysh dallimin e tyre gjinor, racor, fetar e kombëtar”, ka shtuar presidenti.

Ai ka thënë se mbi supet tuaja është një përgjegjësi e madhe, përgjegjësi që unë kam besim të plotë se do të dini ta mbani, ndërsa dhe qytetarët e vendit tonë do të ndjejnë veten të sigurt dhe të barabartë para ligjit.

“Mirëpres gatishmërinë tuaj për t’u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Po ashtu, mirëpres gatishmërinë e juaj se funksionin e gjyqtarit, respektivisht të prokurorit, do ta ushtroni me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, në pajtim me përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, e kanë konsideruar si veprim afirmativ propozimin e tyre për të rritur numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, siç është përcaktuar me Kushtetutë, Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe Marrëveshjen për Drejtësi, të arritur në Bruksel, më 10 shkurt 2015, e cila është vazhdimësi e marrëveshjes së ratifikuar nga Kuvendi me Ligjin Nr. 04/L-199”.

“Dekretimi i tyre është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur  një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”.

Sipas komunikatës me aktin e betimit bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më 10 shkurt 2015.

Por aty nuk sqarohet se si është bërë ky betim, edhe pse mediat nuk janë lejuar të përcjellin ngjarjen.

Dekretohen prokurorët dhe gjyqtarët serbë, mediat nuk lejohen ta përcjellin ngjarjen

Gjyqtarët dhe prokurorët serbë janë dekretuar nga presidenti Hashim Thaçi. Ata janë larguar nga zyra e presidentit me autobusin i cili ishte duke i pritur në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Mediat nuk u lejuan që të përcjellin momentin e betimit. Sipas raportimeve të mediave në Mitrovicën e veriut, gjykatësit serbë do ta bëjnë “betimin neutral”, ku nuk do të ketë tekst të njëjtë me betimin që e bëjnë gjykatësit shqiptarë të Kosovës.

Sipas këtyre medieve, në asnjë marrëveshje nuk do të vendoset stema e Kosovës dhe emërtimi Republikë.

Prokurorët e gjyqtarët serbë vijnë te Presidentit për betim, nuk lejohen mediat

Një autobus nën përcjellje të Policisë së Kosovës, ka arritur para ndërtesës së Presidencës së Kosovës, e që besohet se në të janë pikërisht gjyqtarët dhe prokurorët serbë.

Në të gjitha hyrjet që të qojnë për në sallën alternative të Kuvendit janë vendosur nga dy policë të cilët kanë ndaluar ekipin e Ekonomia Online që të shkoj atje ku edhe pritet që të bëhet betimi.

42 gjykatës serbë dhe 14 prokurorë serbë sot pritet ta japin betimin e të dekretohen për të shërbyer në Gjyqësorin e Kosovës.

Të martën, Presidenca kishte njoftuar se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të bëhet të martën, më 24 tetor 2017.

Ky njoftim nga Presidenca është bërë pasi më 17 tetor asnjëri nga gjykatësit dhe prokuroritë serbë nuk kishin shkuar të bënin betimin para Presidentit dhe përfaqësuesve të Drejtësisë të vendit ashtu siç ishte njoftuar e planifikuar.

Zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Kocijançiç më vonë kishte deklaruar se betimi në javën e shkuar nuk ishte bërë për shkak të kërkesës serbe.

 

Të ngjashme