Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, është shprehur e shqetësuar me gjendjen në të cilën ndodhet Qendra e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, raporton KTV.
Gjatë vizitës së saj, bashkë me shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, Apostolova ka thënë se BE-ja dëshiron që Prizrenin dhe trashëgiminë e tij kulturore ta shohë si një simbol të Kosovës.
Ajo ka shtuar se është shqetësuese se si në këtë zonë janë ndërtuar parkingje, hotele e shumë objekte të tjera biznesi.
“Ne do të donim t’u bëjmë thirrje udhëheqësve të rinj të këtij vendi dhe partive politike, që tani janë duke krijuar platformat e tyre dhe të cilat po bëjnë apel te njerëzit që t’i votojnë, që ta kenë në mendje se sa e rëndësishme është trashëgimia kulturore. Pa trashëgimi kulturore, Prizreni do ta humbë vendin e tij shumë të rëndësishëm”, ka thënë Apostolova.
E shqetësuar për gjendjen në të cilën është kjo qendër, është shprehur edhe Tringa Kasëmi, nga shoqëria civile e Prizrenit.
Ajo tha se nga 155 shtëpi monumente, gjysma e tyre janë në rrezik për t’u shkatërruar.