Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Kryetari Konjufca vlerësoi bashkëpunimin dypalësh dhe kontributin e Bashkimit Evropian për progresin e arritur në implementimin e reformave legjislative të cilat i kontribuojnë procesit integrues dhe perspektives euroatlantike të vendit tonë.
Duke e dënuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, kryetari Konjufca u shpreh se Kosova qëndron përkrah BE-së, NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe mbarë botës demokratike, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ai theksoi se Kosova është partner i besueshëm i BE-së, teksa Serbia u rreshtua në anën e Putinit dhe me të njëjtën retorikë luftënxitëse vazhdon ta kërcënojë Kosovën.
Shefi i Zyrës së BE-së, ambasadori Szunyog shprehu mirënjohje për frymën bashkëpunuese dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta, si dhe konfirmoi mbështetjen për punën e Kuvendit dhe agjendën evropiane të Kosovës.