Glauk Konjufca lirohet nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, gjykatësja Çanta thotë se nuk ka prova

Prishtinë | 26 Shk 2024 | 15:20 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

Aktgjykimi ndaj Konjufcës u shpall të hënën nga gjykatësja Edita Çanta.

Kryetarja e trupit gjykues, Edita Çanta, tha se përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca, sa ishte deputet opozitar, e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Në rrjedhën e procedurës penale, nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën që i vihej në barrë ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm'”, tha Çanta.

“Nga deklarimi i dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor, asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka inkriminuar Konjufcën si kryerës i veprës penale”.

Lidhur me pikën 1 të dispozitivit të aktakuzës, gjykatësja tha se pas analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale që ka pasur në dispozicion, gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar gjendja faktike si në dispozitiv të aktgjykimit.

Gjykatësja Çanta tha se mungon vërtetimi për sekuestrim të sendeve, me të cilin do vërtetohej fakti se i pandehuri ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur më 2017 dhe përmbante edhe akuzën për veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, mirëpo ndjekja për këtë vepër penale është parashkruar vitin e kaluar.

Në mbledhjen e vitit 2016 ku u hodh gaz lotsjellës në rend dite ishte futja në agjendë legjislative e Marrëveshjes për Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi.

Në paraqitjen e mbrojtjes, Konjufca është mbrojtur në heshtje.

Shpallja e aktgjykimit u bë në mungesë të Konjufcës.

Konjufca gjithashtu lirohet nga pagesa e shpenzimeve të procedurës penale dhe paushallit gjyqësor. Këto shpenzime bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.

Për vepra të njëjta më 2018 ishin dënuar kryeministri aktual Albin Kurti, ministrja Albulena Haxhiu e deputetë të tjerë opozitarë të asaj kohe.

Të ngjashme