Kryetari Glauk Konjufca nderon të rënët në Dyz dhe Ribar të Vogël: Serbia është përgjegjëse për mbi 300 masakra në Kosovë

Prishtinë | 18 Pri 2022 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliq​i, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin memorial në fshatin Dyz të Podujevës, si dhe në fshatin Ribar i Vogël të Lipjanit.

Kryetari Konjufca po ashtu mori pjesë në tubimin përkujtimor, në shënim të 23 vjetorit të masakrës në fshatin Dyz, gjatë të cilës u vranë e u masakruan rreth 70 civilë shqiptarë, si dhe qindra të vrarëve të tjerë në shumë fshatra të Llapit e të Gollakut.

Në fjalimin e mbajtur në kujtim të të rënëve, kryetari Konjufca tha se për këto masakra dhe vrasjen e mbi 12 mijë shqiptarëve të Kosovës, përgjegjësi kryesor është shumë i qartë: shteti i Serbisë, me ushtri, me polici, me aparat shtetëror dhe me paramalitarët që i ka kontrolluar dhe urdhëruar për të gjitha këto krime, në mbi 300 masakra të kryera anekënd Kosovës.

Kryetari Konjufca tha se historikisht populli shqiptar ka përjetuar gjenocide nga Serbia.  

“Krimi i parë ishte vrasja e vëllezërve dhe motrave tona, duke mos i kursyer as fëmijët. Krimi i dytë ishte pas vrasjes: marrja dhe fshehja nëpër Serbi edhe sot e kësaj dite. Krimi i tretë është që deri më tani nuk ka pasur drejtësi për asnjë nga këto që kanë ndodhur, dhe krimi i katërt është se Serbia ende nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me Kosovën”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se Serbia po i bën homazhe ish-udhëhëqësit të vet, që la pas vetes qindra-mijëra të vrarë.

“Ne po u bëjmë homazhe të rënëve që kanë derdhur gjakun për liri, ndërsa Serbia po i bën homazhe kasapit të vet që i la të vdekur mbi 160 mijë qytetarë të popujve të ndryshëm, shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë”, tha kryetari i Kuvendit, duke shtuar se Kosova çdo herë do t’i nderojë dhe kujtojë të rënët për liri.

Në tubim përkujtimor fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, Ali Podvorica në emër të famljeve të të rënëve dhe Bedri Llapashtica në emër të Këshillit Organizativ të fshatit Dyz.

Në fund të tubimit kryetari Konjufca mori pjesë në mbjelljen e 227 drunjve për nder të 227 të rënëve në muajin prill të vitit 1999 në territorin e Llapit dhe Gollakut.

Gjatë paradites së sotme, kryetari Konjufca bëri homazhe dhe vendosi lule edhe në kompleksin memorial në Ribar të Vogël të Lipjanit, në nderim të 25 civilëve shqiptarë, të vrarë 23 vjet më parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme