Bideni mban në detyrë drejtorin e FBI-së të emëruar nga Trumpi

Prishtinë | 21 Jan 2021 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Joe Biden, i ka kërkuar drejtorit të FBI-së, Christopher Wray, të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, gjë që ai e ka pranuar, bëri të ditur një burim i zbatimit të ligjit për agjencinë Reuters.

Wray ishte shpesh në shënjestër të ish-presidentit Donald Trump për shkak të refuzimit të tij për të mbështetur pretendimet e rreme për manipulime në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Vendimi i Bidenit për të mbajtur Wrayn si shef të Byrosë Federale të Hetimit u mirëprit nga kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, një kritik i mënyrës se si Trumpi i ka trajtuar çështjet e zbulimit.

“Christopher Wray u bë drejtor i FBI-së në një moment turbullirash të jashtëzakonshme që kishin përfshirë byronë dhe vendin. Ai ka shërbyer me profesionalizëm dhe integritet të madh. Jam i lumtur që presidenti Biden synon ta mbajë në detyrë Wrayn”, tha zoti Schiff.

Schiff tha se mezi priste të punonte me Wrayn për të analizuar “dështimin e operacioneve të zbulimit e sigurisë në raport me sulmin e 6 janarit ndaj Capitolit dhe nevojën për të zgjeruar në mënyrë dramatike vëmendjen dhe burimet financiare ndaj kërcënimit që paraqet terrorizmi i brendshëm”.

Shtatorin e kaluar, Wray u tha ligjvënësve të një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve se Rusia po ndërhynte në zgjedhjet presidenciale, duke përhapur të pavërteta ndaj kandidatit Joe Biden.

Wray shtoi gjithashtu se FBI-ja po kryente hetime të shumta ndaj ekstremistëve të dhunshëm të brendshëm dhe se “pjesa” më e madhe e hetimit përfshinte grupe supremaciste të bardha.

Lidhur me Kinën, Wray tha se FBI-ja hapte “çdo 10 orë” një hetim të ri kundërzbulimi ndaj Pekinit.

Christopher Wray u betua në 2 gusht 2017 për një mandat 10 vjeçar në krye të FBI-së. Rrjeti televiziv CNBC ishte që i pari që njoftoi vendimin e Presidentit Biden për ta mbajtur atë në krye të Byrosë Federale të Hetimit. \ Voa

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme