GLPS: Çfarë u tha në Raportin e Vendit për Kosovën?- Analizë dhe rekomandime mbi fushat kryesore

Prishtinë | 14 Tet 2022 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka mbajtur sot në konferencën për media ka shpalosur të gjeturat kryesore të Raportit për Vendin të përpiluar nga Komisioni Evropian për vitin 2022.

Raporti për Vendin përbën një nga instrumentet kyçe përmes së cilave e përcjellim vlerësimin që Kosovës i bëhet nga Komisioni Evropian, përkatësisht Drejtoria e Përgjithshme e Fqinjësisë dhe e Politikës së Zgjerimit. Duke parë rëndësinë e këtij vlerësimi, GLPS ka monitoruar procesin e përmbushjes së kritereve të Strategjisë së Zgjerimit për Kosovën që nga viti 2012.

Raporti i Vendit për Vitin 2022 jep një vlerësim të përgjithshëm për periudhën një vjeçare, tetor 2021 – tetor 2022. Si i tillë vlerëson për herë të parë një periudhë qeverisëse të udhëhequr e gjitha nga Qeveria Kurti II, për dallim me raportin e vitit të kaluar që përfshinte dy periudha qeverisëse, respektivisht Qeverinë Hoti dhe Qeverinë Kurti II.

Duhet theksuar se këtë vit Kosova ka filluar të shënoj progres në disa fusha, por jo të mjaftueshëm e që do të konsiderohej si progres thelbësor për ecjen para drejt integrimit në BE.  Progres i limituar ose “njëfar progresi” ishte kryefjala edhe i këtij raporti, megjithatë ka një ton më pozitiv në fusha të caktuara krahasuar me raportin e vitit të kaluar. Edhe pse shume iniciativa dhe reforma të qeverisë ende janë në fazën fillestare e për të cilat nevojitet punë konsistente dhe e  mirëplanifikuar. Trendi i njejtë si më parë është duke vazhduar kur i gjithë potenciali i institucioneve është i fokusuar në hartim të poltikave publike dhe legjislacionit por që të njejtat pastaj nuk zbatohen në praktikë.

Të gjeturat e përgjithshme:

  • Raporti për Vendin për vitin 2022  krahasim me raportin e vitit të kaluar ka një ton më pozitiv sa i përket përmirësimit të disa aspekteve brenda fushave të caktuara megjithatë si tërësi, raporti vë në pah se në shumicën e fushave progresi është i limituar apo edhe në faza të hershme. Përfundimisht, si tërësi, raporti i këtoj viti nuk përbën ndryshim rrënjësor për aspiratat integruese të Kosovës, duke mos përshëndetur apo identifikuar ndonjë reformë të thellë strukturore që është arritur përgjatë kësaj periudhe;
  • Vlerësime më pozitive janë evidentuar kryesisht tek kriteret ekonomike, qëndrushmëria e sektorit financiar përgjatë vitit, menaxhimi i politikave të migrimit, dhe vlerësime më solide ipen tek lufta kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në fushën e prokurimit publik, lirisë së medieve dhe organizimit të zgjedhjeve demokratike në nivel lokal;
  • Natyrisht, Bashkimi Evropian ka përshëndetur edhe rreshtimin e Kosovës përkrah BE-se dhe vendeve të perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ofrimin e ndihmës për refugjatët potencialë ukrainase.
  • Megjithatë, raporti vë theks shqetësues mbi progresin e limituar të Kosovës në implementimin e mëtutjeshëm të reformave që lidhen me procesin integrues, sic janë: sundimi i ligjit, implementimi i reformës në administratë publike, reformat në arsim, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e deri tek përpjekjet e mangëta për të luftuar informalitetin e lartë ekonomik. Një aspekt shqetësues dhe i theksuar qartazi këtë vit, me të drejtë, është funksionimi i dobët i Kuvendit të Kosovës, respektivisht mungesa e shpeshtë e kuorumit, mospërmbushja e agjendës legjislative dhe mungesa e kohezionit politik në kuvendë;
  • Sa i përket procesit integrues në nivel të instrumenteve ekzistuese, Bashkimi Evropian vlerëson pozitivisht angazhimin e qeverisë për të aprovuar fazën e dytë të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) si dhe të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, të dyja këto dokumente strategjike të aprovuara tanimë nga qeveria. Raporti thekson se është bërë njëfarë progresi në miratimin dhe zbatimin e reformave qe lidhen me  BE-në Kosova ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (NIPSAA) dhe Planin e Veprimit II të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA). Kosova ka forcuar kapacitetin e saj për të koordinuar zbatimin e zotimeve dhe obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe ERA II, dhe ka përmirësuar mekanizmat e raportimit

Sa i përket fushave kyçe, raporti konstaton si më poshtë:

Kriteret Politike

  • Në fushën e kritereve politike, raporti thekson stabilitetin politik si faktor pozitiv në inicimin e reformave nga Qeveria Kurti. Këtu vihet në pah se ekziston një ambient i favorshëm politik dhe institucional për implementimin e reformave që lidhen me integrimin në BE, dhe për përmirësim të gjendjes në shumë fusha.
  • Organizimi i zgjedhjeve lokale të vitit 2021 theksohet se ishin mirë të organizuara, transparente dhe me garë fer. Megjithatë, në komunat serbe theksohet që konkurenca politike ishte e kufizuar, po ashtu edhe ambienti politik.

Reforma në Administratë Publike

  • Si një nga reformat kyçe dhe parakusht i procesit integrues, Reforma në Administratë Publike  vlerësohet se ka një nivel përgatitjeje, por progres i kufizuar është bërë në këtë fushë. Madje, raporti thekson se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar mjaftueshëm, ato në nivel të gjerë mbetën ende të vlefshme dhe duhet të zbatohen. Në këtë fushë si hapa pozitiv janë vlerësuar: zhvillimi i strategjisë gjithpërfshirëse për Reformën e Admnistratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike 2022-2026, miratimi i ligjit për valën e parë të riorganizimit të agjencive dhe draftimi i projektligjit për paga. Megjithatë, GLPS rikujton se korniza strategjike ende nuk është miratuar dhe përveç miratimit e njejta duhet të gëzoj vullnet dhe angazhim të lartë politik dhe institucional për t’u implementuar, në të kundërtën, e gjithë korniza strategji – në afatgjatë – nuk do ketë asnjë lloj ndikimi siç ka ndodh edhe më herët me kornizën e RAP të mëhershme. Njësoj, projektligji për paga edhe pse i domosdoshëm ende mbetet në fazë konsultimesh dhe në bazë të një analize të bërë nga GLPS, i njejti ka ende mangësi serioze dhe në disa raste nuk merr për bazë vendimit e Gjykatës Kushtetuese për çka rrezikon të përsëritet skenari i njejtë me ligjin e kaluar.
  • Vërejtje të qarta jepen edhe për moszbatim të kornizës ligjore në fushën e Administratës Publike, përderisa infrastruktura ligjore ekziston. Veçanërisht vonesat janë të dukshme në implementimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, gjë që thuhet me të drejtë të ketë dëmtuar organizimin e rekrutimit të centralizuar si bazë për rekrutime meritore. Moszbatimi i mjaftueshëm Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Publike dhe Agjencive të Pavarura ka çuar në një nivel jo të kënaqshëm të përmirësimit të performancës dhe llogaridhënies së administratës.

Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit

  • Sa i përket sundimit të ligjit, Kosova ende kategorizohet si një vend në ‘fazë të hershme’ të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionon siç duhet. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas me mungesë transparence si dhe i ndikuar politikisht. Edhe kësaj rradhe, Kosova vlerësohet të ketë një kornizë ligjore adekuate dhe në linjë me standardet e kërkuara, por që të njejtat hasin në probleme thelbesore gjatë implementimit në praktikë.  
  • Megjithatë, raporti vlerëson pozitivisht angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar plotësisht Opinionin e Komisionit të Venecias për koncept dokumentin për verifikimin e gjyqëtarëve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në. GLPS konsideron që një reformë e thellë ne sistemin e drejtësisë përmes vetingut mbetet e domosdoshme, por që e njejta duhet të bëhet në koordinim dhe përfshirje të plotë të faktorit ndërkombëtar në të gjitha fazat e tij.
  • Po ashtu, sipas Komisionit Evropian gjatë periudhës raportuese, është arritur njëfarë progresi në fushën e funksionimit të gjyqësorit. Aty ceken hapat që janë ndërmarrë për fillimin e zbatimit të strategjisë dhe planit të veprimit për sundimin e ligjit dhe fillimin e reformës së kornizës legjislative që rregullon sistemin prokurorial duke ndryshuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. 
  • Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, njësoj sikurse vitin paraprak, Kosova mbetet ende në një ‘fazë të hershme’ në këtë drejtim. Kosova ende vazhdon të karakterizohet me prezencë të lartë korrupsioni në gjë që mbetet shqetësuese.
  • Theks i veçantë edhe këtë vit vihet mbi mungesën e rezultateve konkrete në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit të profilit të lartë si dhe zvarritja e lëndëve si pasojë e mungesës së kapaciteteve. Ngjashëm, Kosovës, vlerësohet që i mungojnë rezultatet sa i përket hetimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, edhe pse korniza ligjore që rregullon këtë aspekt është e avancuar.
  • Megjithatë, një vlerësim më pozitiv i atribuohet luftës kundër terrorizmit në përputhje me objektivat e përcaktuara me BE-në në Planin e Përbashkët të Veprimit, veçanërisht në rehabilitimin dhe riintegrimin e luftetarëvë terroristë të huaj tek familjet e tyre.
  • Një vlerësim tjetër shqetësues mbetet mungesa e transparencës së financimit të partive politike në Kosovë. Raporti i këtij viti edhe njëherë thekson që partitë politike vazhdojnë të mos ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi origjinën e parave të shpenzuara duke mos publikuar raporte të detajuara financiare, dhe në anën tjetër, auditimi i jashtëm ende mbetet i pazbatuar në praktikë.  Por zhvillim pozitiv me rendësi përmendet miratimi i ligjit për financimin e partive politike. GLPS gjithashtu në vazhdimësi ka kontribuar që të ndryshohet sistemi i financimit të subjekteve politike në Kosovë, por prap kjo sfidë mbetet e paadresuar.

Zhvillimi ekonomik dhe mundesitë e të bërit biznes

  • Sa i përket zhvillimit ekonomik, raporti thekson se Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie funksionale të tregut.
  • Tutje potencohet, sfidat strukturore të gjata, të tilla si ekonomia joformale e përhapur, niveli i lartë i korrupsionit dhe sundimi i dobët i ligjit, vazhdojnë të pengojnë sektorin privat. Ndërsa, rimëkëmbja ekonomike si dhe fitimet nga formalizimi i ekonomisë çuan në një rritje të të ardhurave tatimore dhe një deficit të ulët publik në vitin 2021. I nxitur nga rritja e çmimeve të mallrave, inflacioni u rrit ndjeshëm, thuhet ne raport.

Për fund, GLPS rekomandon që Qeveria e Kosovës të bëj përpjekje e shtuar dhe koordinimim më të mirë ndër-institucional për të shënuar rezultate konkrete në disa nga reformat kyçe sic janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratë publike, në arsim, dhe mbi të gjitha, kërkohet angazhim i shtuar dhe serioz institucional në përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA dhe Agjenda për Reforma Evropiane.

Të ngjashme