Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës që bën interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Kjo Gjykatë, me datë 05.04.2023 ka publikuar aktgjykimin në rastin KO 100/22 dhe KO 101/22, me të cilin Ligji nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij.
Sipas këtij Aktgjykimi, Kushtetuesja ka vlerësuar se nenet e këtij Ligji që kanë të bëjnë me kompetencën e Avokatit të Popullit për të zgjedhur anëtarë jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), mënyrën e vendimmarrjes në KPK, mjetin juridik dhe mbrojtjen gjyqësore të të drejtave në rast të shkarkimit të anëtarëve aktual dhe në çështjen e ndërprerjes së mandateve të një institucioni të pavarur kushtetues përmes ligjit, nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën.
Por, Aktgjykimi në fjalë gjeti se në frymën e Kushtetutës janë dispozitat e tjera të këtij Ligji, me theks të veçantë ato që rregullojnë balancin e anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë në KPK dhe shumicën e nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit.
Prandaj, marrë parasysh që Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës që vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kërkon që Ministria e Drejtësisë, si sponzorizuese e Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për KPK-në, ta respektojë në tërësi Aktgjykimin në fjalë dhe që të vazhdojë edhe më tutje me nismën ligjore që ka të bëj me reformat brenda institucionit të KPK-së, duke u bazuar në standardet të cilat i ka vendosur tashmë Kushtetuesja.
GLPS në vazhdimësi ka monitoruar punën e KPK-së dhe ka vlerësuar e potencuar faktin e mungesës së transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit të këtij institucioni, dhe se nevoja për reforma në sistemin e drejtësisë me theks të veçantë në sistemin prokurorial është e nevojshme dhe e pashmangshme.
Në fund, GLPS thekson se reformimi i sistemit të drejtësisë duhet të jetë në linjë me ndryshimet ligjore që janë në përputhje të plotë me parimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, respektimi i të cilave paraqet bazën e një shteti demokratik.