Drejtësia Sot (Platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike), përmes një reagimi për media ka shprehur shqetësimin për mënyrën e trajtimit të, siç thonë ata, njërit nga skandalet më të mëdha në Kosovën e pasluftës, të njohur si rasti “Pronto”.
Ata thonë se ky rast ka shkaktuar shqetësime dhe interesim të madh publik për shkak se, për herë të parë në Republikën e Kosovës, përmes medias janë zbuluar dhe publikuar veprimet dhe metodat e punësimit të disa individëve brenda grupeve të ngushta të interesit.
Sipas tyre, për probleme të tilla, për një kohë të gjatë kanë alarmuar qytetarët e Republikës së Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit, mediat dhe shoqëria civile. Ndërsa sot, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit nga ana e Prokurorisë në këtë rast duke mos ndëshkuar një praktikë të tillë të dëmshme për çdo proces shtetndërtimi dhe integrimi.
“Aktorët e kësaj afere, në kohën që pretendohet se është kryer vepra penale kanë qenë persona me funksione të rëndësishme zyrtare si: deputet, ministër, zv.ministër, drejtor bordi, kryesues i kuvendit komunal, etj. Pra persona me vullnet faktik dhe politik, me mundësi ndikimi mbi punësimet e personave të caktuar në pozita të larta shoqërore. Për më tepër, përkatësia e tyre politike dhe raporti personal mes të pandehurve dhe kandidatëve përgjatë përzgjedhjes së drejtorëve në ndërmarrjet publike dhe në pozitat e tjera; është në kundërshtim me ligjin i cili përcakton barazinë e kandidatëve sipas konkursit publik dhe trajtimin e barabartë të të gjithë kandidatëve. Prandaj, protagonistët e këtij rasti kanë mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë që garantohen me ligj, e të cilët nuk u ndëshkuan sot nga sistemi i drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Kjo organizatë thotë se një praktikë e tillë krijon një situatë ku aparati i shtetit kontrollohet nga një grup i ngushtë i njerëzve të lidhur drejtpërdrejtë me politikën dhe interesat partiake e individuale të një grupi të caktuar njerëzish.
Për më tepër, sipas tyre, mënyra se si është trajtuar ky rast nga ana e sistemit prokurorial dhe gjyqësor ka qenë i mbizotëruar me shkelje të mëdha procedurale dhe gjyqësore. Mos-profesionalizmi i treguar në trajtimin dhe ngritjen e aktakuzës dhe i përcjellë pastaj përgjatë shqyrtimit gjyqësor tregon mungesën e interesit në luftimin e krimin e korrupsionit në Kosovë nga institucionet e drejtësisë.
“Njëkohësisht, mungesa e guximit për ndjekjen e figurave të larta shtetërore e politike ndikon negativisht në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe një shteti ligjor i cili mbron të drejtat themelore të qytetarëve të saj, kritere këto esenciale për një shtet evropian. Rrjedhimisht, barra e mos përmbushjes së obligimeve të dala nga proceset integruese të Kosovës bie edhe njëherë mbi institucionet e sistemit te drejtësisë. Janë pikërisht këto raste në të cilat Komisioni Evropian e mbështet konstatimin e tij që Kosova është shtet i kapur”, thuhet tutje në njoftim.
Prandaj, Drejtësia sot u bënë thirrje edhe njëherë institucioneve të sistemit të drejtësisë që të veprojnë në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të tyre, përkatësisht, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që të marrin masat e caktuara ligjore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët dështojnë të luftojnë krimin dhe korrupsionin si detyrë bazë e tyre. Njëkohësisht, një situatë e tillë ri-afirmon kërkesën e GLPS-së për një reformë fundamentale e thelbësore në sistemin e drejtësisë e cila do të arrihej vetëm përmes një procesi të vetingut.