GLSP: Projektligji për financimin e subjekteve politike në shpërputhje me kërkesat për reformën zgjedhore

Prishtinë | 13 Maj 2019 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar lidhur me procesin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, transmeton Koha.net.

Përmes një komunikate për medie ai thotë se ndryshimet e proceduarave nga grupi punues në kuadër të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës janë në shpërputhje me pritjet që procesi i financimit të subjekteve politike të bëhet në linjë me standardet e integritetit më të lartë, qartësimit të përgjegjësive brenda KQZ-së dhe një kontrolli efektiv të shpenzimeve të partive politike.

Njoftimi i plotë:

GLPS vlerëson që ndryshimi i formulës së ndarjes së mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike me qëllim të përshtatjes me nevojat e partive aktuale është i dëmshëm dhe në shpërputhje me kërkesat e reformës zgjedhore. Drafti i Qeverisë propozon që ndarja e mjeteve për financimin e subjekteve politike që kanë garuar në një proces zgjedhor në kuadër të një koalicioni të partive të bëhet ‘në bazë të numrit të deputetëve që përfaqësojnë secilin subjekt politik brenda koalicionit’. Një formulë e tillë është shpërdoruese, për faktin që ajo sugjeron tu përshtat Ligjin partive aktuale në Qeveri. Propozimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, në anën tjetër, propozon që ndarja e mjeteve të bëhet sipas madhësisë dhe në bazë të ‘grupit parlamentar’, e jo subjektit politik që ka hyrë dhe garuar në procesin zgjedhor. Ne vlerësojmë që një formulë e tillë, gjithashtu, është në shpërputhje me konceptin e financimit të subjekteve politike, të cilat, dhe financimi për të cilat, nuk është i lidhur aspak me mënyrën si funksionon parlamenti por vetëm me rezultatin zgjedhor. Për më tepër grupet parlamentare nuk janë fare persona juridik dhe si të tillë nuk mund të bartin llogari kontabël apo të përfitojnë drejtëpërdrejtë nga financimi i buxhetit të shtetit. GLPS propozon që formula e ndarjes së mjeteve të mbetet ajo që është sipas Ligjit aktual për Financimin e Subjekteve Politike, sipas së cilit subjektet e vetme që përfitojnë financim nga buxheti shtetëror janë ato që paraqiten si garues në fletëvotimet e zgjedhjeve e përgjithshme.

GLPS vlerëson që ndryshimi i tavanëve të financimit të subjekteve politike për individë dhe persona juridik nuk duhet të rritet në masën siç është propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa. Komisioni ka propozuar që tavani për financim të subjekteve politike për individ të jetë 4000 EUR kurse për persona juridik të jetë 20000 EUR. Vlerësojmë që një dyfishim i tillë i tavaneve prodhon një hapësirë për klientelizim më të madh të partive, dhe ndërlidhjes së tyre me pushtetin politik, si dhe në të njëjtën kohë mund të prodhoj një hendek më të madh ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë. E tërë kjo është e pashëndetshme për një demokraci të re sikur Kosova. Në anën tjetër, për shkak të përvojave keqpërdoruese, GLPS kundërshton mundësinë e dhënë me propozimet e tanishme të rritjes së tavanit për financim me para në dorë për subjekte politike, dhe kërkon që si i tillë të ndalohet në tërësi. Gjithashtu, Ligji duhet të përcaktoj që çdo kontribut tjetër, në formë jo-financiare, duhet të faturohet në mënyrë të rregullt sipas vlerës së tregut dhe të raportohet si i tillë.

GLPS kërkon gjithashtu që shumat e parashikuara për gjoba administrative në versionin origjinal të projekt-ligjit të mos ndryshohen, për shkak që me uljen drastike të tyre nga ana e Komisionit për Buxhet dhe Financa, ato mund të mbesin plotësisht të paefektshme.

GLPS gjithashtu kërkon që funksioni i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të subjekteve politike të mos ndryshohet sa i përket procesit të auditimit të shpenzimeve të subjekteve politike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i hiqen funksionet esenciale në raport me auditimin e partive politike. Kalimi i atyre funksioneve në KQZ-në si trupë kolektive është i pakuptimtë, meqë KQZ ka një përbërje politike dhe nuk mund të shkarkoj funksionin e mbikëqyrjes financiare pa kaluar njëherë në një filtër me kompetencë të plotë administrative siç është Zyra.

Bazuar në problemet e lartë renditura, dhe jo vetëm, GLPS vlerëson se projektligji për plotësim-ndryshimi i Ligjit për Financimin e Partive Politike sipas amandamentimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa vetëm sa krijon hapësira më të mëdha shpërdorimi, nxit klientelizmin, ulë efektivitetin e dispozitave ndëshkuese dhe pamundëson përmirësimin e transparencës financiare të subjekteve politike. Si përfundim, këto amandamentime janë në kundërshtim me qëllimet e reformës zgjedhore dhe nuk i shërbejnë pozitivisht asaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme