Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq, ka reaguar ndaj deklaratës nga deputeti i CDU-së, Peter Bajer se “Serbia duhet ta njeh Kosovën, përndryshe nuk do të hyjë në BE”.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq ka deklaruar se qëndrimi i Gjermanisë në raport me Kosovën është shumë i rëndësishëm.
Por, ajo theksoi se në Bashkimin Evropian ka anëtare të baraspeshuara dhe përkujtoi se pesë shtete të tjera nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Gjatë një interviste për “TV Prva”, ajo ka thënë se deklarata nga deputeti i CDU-së, subjektit politik të kancelares gjermane Angela Merkel, Peter Bajer se “Serbia duhet ta njeh Kosovën, përndryshe nuk do të hyjë në BE”, duhet të merret seriozisht sepse Gjermania është ndoshta një prej shteteve më të rëndësishme në BE, transmeton lajmi.net.
“Por, ka edhe shumë shtete të tjera që nuk e ndajnë të njëjtin mendim si Gjermania. Spanja e braktis çdo mbledhje ku gjendet Kosova me ose pa fusnotë, është një mbledhje e anëtarëve të baraspeshuar dhe pesë shtete nuk do të votojnë për diçka të tillë. Serbia nuk do ta konsiderojë njohjen e Kosovës në shkëmbim me disa karota”, u shpreh ajo, transmeton lajmi.net.
Sipas saj, është me rëndësi të sqarohet pse presioni i madh është gjithmonë mbi Serbinë në lidhje me dialogun.
“Kur zyrtarët e SHBA-ve vijnë në Serbi, thonë se duhet të bisedohet dhe të arrihet një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, do të thotë se situata nuk është më bardh e zi”, theksoi Gojkoviq.
Në pyetjen nëse do të mbahet një seancë e Kuvendit të Serbisë ku do të diskutohet për Kosovën, ajo ka thënë se do të caktohet pasi të vazhdojnë bisedimet dhe kur të ekzistojë një “platformë ose agjendë”.
“Duhet të presim që në Këshillin e Sigurimit në OKB të kthehet tema e Kosovës, të vazhdojë dialogu, në mënyrë që Parlamenti të ketë për çka të diskutojë”, përfundoi ajo.