Gola në Kopenhagë: Për Kosovën qëndrueshmëria demokratike është e lidhur me rrugën e saj evropiane

Prishtinë | 04 Maj 2026 | 20:26 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, mbajti sot një fjalë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të BE-së, e cila po mbahet në Kopenhagë, në kuadër të panelit “Qëndrueshmëria demokratike në kohë ndryshimesh”, me fokus: dezinformimi, ndryshimet teknologjike, rënia e besimit në institucione.

Në fjalën e tij nënkryetari Gola tha se qëndrueshmëria demokratike sot nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen, por edhe me besueshmërinë dhe besueshmëria fillon me besimin. Në këtë drejtim, “mendimi i Jurgen Habermas na jep një kujtesë të rëndësishme: legjitimiteti demokratik nuk mbështetet vetëm te institucionet, por te cilësia e arsyetimit publik që i mbështet ato. Ideja e tij për demokracinë deliberative”.

“Për ne si udhëheqës parlamentarë, kjo do të thotë se qëndrueshmëria nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e strukturave demokratike, por edhe me kultivimin e një kulture politike ku argumentet mbizotërojnë mbi manipulimin dhe ku qytetarët e gjejnë veten në vendimet e marra në emrin e tyre”, theksoi nënkryetari Ardian Gola.

Ai shtoi se në gjithë rajonin tonë përballemi me presione të përbashkëta, dezinformimin, zhvillimet teknologjike dhe rënien e besimit në institucionet publike.

“Këto sfida ndikojnë drejtpërdrejt në legjitimitetin e punës sonë dhe në besimin që qytetarët vendosin te demokracia përfaqësuese”, shtoi ai.

Për Kosovën, nënvizoi nënkryetari Gola, qëndrueshmëria demokratike është e lidhur ngushtë me rrugën e saj evropiane.

Ai tha se Kosova ka bërë përparim të prekshëm, duke forcuar zgjedhjet dhe duke avancuar të drejtat themelore, ndërsa vazhdon puna në efikasitetin e gjyqësorit, median dhe administratën publike. Për ne, potencoi ai, reforma nuk është një formalitet, por një transformim.

“Këtu në Kopenhagë, filozofi i njohur danez Soren Kierkegaard na kujtoi kohë më parë se ‘jeta mund të kuptohet vetëm duke parë pas, por duhet jetuar duke parë përpara’. Në këtë kuptim, ai na mëson se e ardhmja e shoqërisë nuk varet vetëm nga mënyra se si e kuptojmë të kaluarën, por edhe nga mënyra se si zgjedhim të ecim përpara.

Sa i përket qëndrueshmërisë demokratike, ajo është edhe çështje zgjedhjeje zgjedhja për t’u qëndruar besnik parimeve, edhe kur kjo është e vështirë”, theksoi në fjalën e tij nënkryetari Gola.

Të ngjashme