Policia e Durrësit njoftoi sot, se ka arrestuar 2 shtetas, njëri prej të cilëve i punësuar si roje pranë parqeve arkeologjike. Policia bën të ditur se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 statuja të madhësive dhe formave të ndryshme.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore për një rast të vjedhjes dhe trafikimit të veprave të artit nga parqet arkeologjike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “IKONAT”. Si rezultat u arrestuan shtetasit: P. L., 53 vjeç, banues në Fier dhe E. Ç., 56 vjeç, banues në Lushnjë”, njofton Policia e Durrësit.
“Këta shtetas janë kapur në flagrancë gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, Rrogozhinë, duke lëvizur me një automjet në të cilin gjatë kontrollit u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merreshin me trafikimin e veprave të artit dhe kulturës. Shtetasi P. L., duke përfituar nga fakti se ishte i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si rojë dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër, dhe më pas në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., i trafikonin me qëllim përfitimin.”, thuhet në njoftim
“Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.”, përfundon Policia e Durrësit./Atsh