Policia e Shtetit ka njoftuar sot zyrtarisht se ka vënë në pranga katër persona si autorë të dyshuar në grabitjen e 9 prill, ku janë vjedhur me armë një sasi e kosiderueshme vlerash monetare në aeroportin e Rinasit dhe mbeti i vrarë një nga autoret e kësaj ngjarje shtetasi Admir Murataj.
Sipas të dhënave zyrtare, policia në bazë të veprimeve hetimore të kryera dhe informacioneve të marra në rrugë operative si dhe provave të siguruara gjatë hetimit është bërë i mundur ndalimi i katër autorëve të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje dhe konkretisht: O. V., 38 vjeç, banues në Krujë; A. B., 34 vjeç, banues në Elbasan, me banim të përkoheshem në Tianë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”; R. S., 25 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan dhe S. Ç. 28 vjeç, lindur në Kajan, Elbasan dhe banues në Elbasan.
Gjatë operacionit për ndalimin e këtyre shtetasve janë përdorur teknika speciale hetimore dhe janë përfshirë strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Gjithashtu gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, prova të shumta të cilat do të shërbejnë për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre, i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.