Rifillon transporti i parave nga Rinasi, por në prani të forcave ushtarake

Prishtinë | 24 Pri 2019 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Me një prani jo të zakontë të forcave ushtarake dhe policore, pritet që të rifillojë sot transporti i parave nga Rinasi drejt Vjenës.

Burime nga kompanitë që janë të angazhuara me transportin, thanë për Monitor se sot do të kontrollohen procedurat e sigurisë dhe më pas nuk dihet si dhe nëse do të vazhdojë. Ajo që është e dukshme ditën e sotme, thanë burimet, është prania e shtuar e forcave të policisë dhe ushtrisë, për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Kompania ajrore Austrian Airlines e ndërpreu shërbimin e transportimit të parave të bankave nga Shqipëria drejt Austrisë në datën 10 prill, një ditë pas vjedhjes në barkun e avionit të një shume prej rreth 6.5 milionë eurosh, pasi grabitësit arritën të çanin me lehtësi perimetrin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend. Kompania ka pohuar përmes zëdhënëses së saj se po rishikohen masat e sigurisë dhe nëse gjithçka do të jetë e sigurt, atëherë do të rifillojë shërbimi i transportit cash të parave.

Ndalimi i transportit të parave jashtë shkaktoi menjëherë amulli në treg, që u reflektua në kursin e këmbimit , përmes zhvlerësimit të gjithë valutave, teksa bankat nuk po tërheqin valutë nga tregu dhe kjo ka krijuar një tepricë të valutës në treg.

Që nga data 9 prill, kur u krye grabitja në Rinas, euro ka rënë me 1.3 lekë, në 123.66 lekë duke zbritur në nivelin më të ulët që nga janari dhe dollari u nënçmua me 0.93 lekë. Më e fortë ka qenë rënia e paundit dhe frangës zvicerane, pasi bankat nuk janë më të prirura t’i mbledhin ato. Paundi britanik ka rënë me 2.16 lekë, që nga 9 prilli dhe franga zvicerane me 3.1 lekë.

Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj.), i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit dhe për këmbime cash valutore. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.

Ngjarja e ndodhur në Rinas, e dyta kur grabiten paratë brenda në aeroport, pritet të ndikojë dhe në tarifat e sigurimit. Raiffeisen International që është korrepondentja me të cilën punojnë bankat në Shqipëri, mësohet se u ka çuar bankave së fundmi një amendim kontrate, ku i njofton se do të rishikojë kushtet e sigurimit të transportit të parave në udhëtim.

Avni Ponari, CEO i Sigal, kompanisë më të madhe të sigurimit në vend pohoi për Monitor se “sigurimi i cash në tranzit është një produkt i cili është i mbuluar nga tregu i sigurimeve kombëtar dhe ndërkombëtar”.  Megjithatë, ai shtoi se kjo situatë do rrisë primin e sigurimit dhe nga ana tjetër nuk është më e lehtë për të gjetur risigurues./monitor

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme