Grabitja në Suharekë, nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit

Prishtinë | 26 Nën 2023 | 20:04 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar këkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarve A.B dhe F.T., (secilit veç e veç), për ndihmë në kryerjen e grabitjes në argjendari në Suharekë, ku ishte plagosur një polic dhe ishte lënduar një tjetër.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Marcel Lekaj, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Prizren.

“Caktohet masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, duke llogaritur nga data e arrestimit 25.11.2023”, tha Lekaj.

I pandehuri A.B., dyshohet se duke prezantuar letërnjoftimin e tij në kompaninë “Ipko” në Mitrovicë blen 10 numra të telefonit për të pandehurin F.T., dhe këta numra ia dorëzon F.T. Kurse, thuhet se njëri prej këtyre numrave të telefonit përdoret për të kontaktuar pronarin e automjetit nga i cili grabitësit e blejnë automjetin, i cili përdoret gjatë grabitjes në Suharekë.

Po ashtu, grabitësit dyshohen se nga aparati telefonik që e kanë përdorur këtë numër, komunikojnë mes vete me dy numra të telefonisë “Ipko” gjatë dhe menjëherë pas grabitjes më 22 nëntor 2023.

Ndryshe, të dielën, prokurorja e rastit Ervehe Gashi, konfirmoi edhe arrestimin e të dyshuarit të tretë lidhur me këtë rast.

“Deri tash janë arrestuar tre persona, jemi duke punuar në identifikimin e të gjithë grupit, mirëpo deri tash janë arrestuar vetëm tre persona”, tha prokurorja Gashi.

Të premten, Policia njoftoi se ka gjetur veturën e cila dyshohet se është përdorur dy ditë më parë nga të dyshuarit për grabitje në argjendarinë “Diakos” në Komunën e Suharekës.

Ditën kur ndodhi grabitja, u njoftua se një polic u plagos dhe një tjetër mori lëndime.

Shuma e arit të grabitur konsiderohet të jetë 250 mijë euro, grabitje kjo që ndodhi pasditën e së mërkurës në një argjendari në Suharekë.

Të ngjashme