Granit Xhaka është personi më me ndikim në sportin e Zvicrës, i zgjedhur nga portali zviceran ‘Watson.ch’.
“Këta janë 50 personat më të fuqishëm në Sportin e Zvicrës” është titulli i shkrimit, me Xhakën në krye, si sportisti më me ndikim në sportin helvetik.
“Xhaka përveç që e shfaq veten duke luajtur, me karakterin dhe punën e tij në vitin 2018, ai ka qenë vendimtar me sjelljen humane në futbollin zviceran”, thuhet në shkrimin e portalit Watson, duke përmendur edhe arsyet përse kjo zgjedhje.
Në shkrim arsyeja kryesore përmendet ndeshja Zvicër – Serbi në Botërorin e Rusisë, dhe momenti kur Xhaka shënon golin e barazimit, duke festuar me simbolin e shqiponjës.
“Këtë veprim e bënë më pas edhe Shaqiri e Lichtsteineri, por me pasoja u mor vetëm Xhaka, që hapi një debat të madh. Domethënia e vërtetë e Shqiponjës dykrenore nuk dihet nëse ishte menduar politikisht apo një formë gëzimi. Por e vërteta është se Xhaka e dridh futbollin zviceran”, thuhet më tej aty.
Sipas portalit zviceran, pas këtij momenti e tërë Zvicra u përfshi në një debat lidhur me dyshtetësinë në vend, i nxitur edhe nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Miescher. Ky i fundit dha dorëheqje pas deklaratave për deklarimin e futbollistëve të Zvicrës për vetëm një shtetësi.
I rrezikuar ishte edhe përzgjedhësi i Zvicrës, Petkoviq, por Xhaka e shpëtoi atë duke qenë ndër lojtarët kryesorë në Ligën e Kombeve.
“Ndikimi i Granit Xhakës në sportin e Zvicrës është i padiskutueshëm. Ndoshta ai i ka dhënë një mësim të vogël edhe botës. Që nga simboli i shqiponjës, apo në gjuhën zvicerane ‘Doppeladler’, në Botërorin e Futbollit, vështirë se dikush do të pretendojë seriozisht, se sporti nuk ka të bëjë fare me politikën” përfundon konstatimin dhe arsyetimin për Xhakën, portali Watson.
Në mesin e 50 sportistëve më të fuqishëm në Zvicër, është edhe Xherdan Shaqiri, që vlerësohet i 14-ti, ndërsa në këtë listë është edhe vëllai i Shaqirit, Erdini, në vendin e 24-të, që vlerësohet si menaxheri i suksesshëm i Xherdanit për kalimin te Liverpooli, por edhe i talenteve zviceranë.
Në këtë listë të 50 personave më të fuqishëm të sportit zviceran, ka emra të njohur, përfshirë edhe politikanë.