Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës në bashkëpunim me Dhomën e Gruas së Shqipërisë kanë organizuar takimet B2B, raporton Ekonomia Online.
Afërdita Saraqini-Kelmendi presidente e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës në një lidhje direkte ka uruar për këtë bashkëpunim.
Ajo tha se gratë biznesmene gjatë pandemisë kanë qenë të vëmendshme duke mos shënuar humbje të mëdha e largim nga puna të punëtorëve.
“Uroj një bashkëpunim të mbarë të grave të Shqipërisë dhe të Kosovës të angazhuar në biznes që edhe gjatë pandemisë kanë qenë të vëmendshme mos të shënojnë humbje të mëdha, pa bërë shkurtime të mëdha në staf”, është shprehur ajo.
Poashtu Saraqini-Kelmendi shtoi se ky bashkëpunim do të shërbejë për arritjen e projekteve të përbashkëta.
“Bashkëpunimi i dy dhomave ekonomike besoj që do të jetë një vokacion që të bëjë sa më shumë projekte të përbashkëta në fushën e ndërmarrësisë. G7 ka dëshmuar me punën e vet që ka bërë investim të madh në shtyrjen e bizneseve të grave”, ka shtuar ajo.
Ndërsa Linda Shala zëvendëspresidente e G7, tha se ky bashkëpunim do të mundësojë fuqizimin ekonomik të grave.
“Është kënaqësi e veçantë që kemi mbërri në këtë moment të veçantë kur po nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi”.
“Kjo marrëveshje nuk është dokument që do të na obligoj neve, por është vullnet i mirë i bashkëpunimit që të mundësojmë fuqizimin ekonomik të grave”.
“Është momenti i rëndësishme i arritjes së nivelit të artikuluar të kërkesave të grave andej dhe këtej kufirit”.
Kurse Antonela Hako, presidente e ËECA, duke falënderuar Odën Ekonomike të Gruas në Kosovë për mbështetjen dhe pritjen tha se kjo marrëveshje do të ndihmojë në shkëmbimin e eksperiencave.
“Kam ardhur e nderuar këtu, dhoma ekonomike e gruas është e re në tetor mbushim një vjet. Bashkëpunimi me G7 është i hershëm dhe jemi takuar me zonjën Saraqina që të dimë se si mundet që gruaja të jetë zë i fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendeve”.
“Zonja Linda gjithmonë me pozitivitetin e madh mban kontakte të mira me neve, kemi pasur një dëshirë të përbashkëta që të shkëmbejmë eksperiencat”, ka thënë ajo.