Kryesia e Gruas të Partisë Demokratike të Kosovës, në një mbledhje të mbajtur të premten, ka diskutuar për përfaqësimin e grave në parti dhe në institucione, obligimet rreth Konventës së Punës së PDK-së, si dhe planifikimi i aktiviteteve për muajt në vijim.
Kryetarja e GD-së, Justina Shiroka-Pula, theksoi angazhimin e madh për të ndryshuar pjesëmarrjen e Gruas në strukturat e PDK-së. Ajo tha se nëpër degë, ka një përqindje jo të kënaqshme, ku përfshihen vetëm 13.72% të grave në struktura.
Një gjendje e tillë është edhe nëpër institucionet lokale. “Kemi 99 drejtori komunale, nga të cilat 84 i udhëheqin meshkujt, ndërsa 18 drejtori i udhëheqin gratë, ose shprehur në përqindje afër 16 %. Por rritja e numrit të grave udhëheqëse në komunën e Drenasit, të udhëhequr nga PDK, megjithatë është shpresë për të gjitha gratë veprimtare”, u shpreh kryetarja Shiroka-Pula.
Të dhënat e përbërjes së afër 500 delegateve të Konventës së Gruas, tregojnë se gruaja është potencial i madh kadrovik brenda strukturës së PDK-së.