Instituti D4D ka mbajtur konferencën rajonale, në të cilën u lansua hulumtimi rajonal me temën: “Ekonomia e Nënvlerësuar”, raporton Ekonomia Online. Gjatë debatit u tha se duhet të hapen më shumë çerdhe publike në të cilat gratë mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre dhe të jenë në gjendje të punojnë që të kontribuojnë në shoqëri.
Gjithashtu u përmend edhe tema e punës së papaguar te gratë që bëjnë punët e shtëpisë, duke u potencuar se rreth 80% e grave në Kosovë janë ende joaktive dhe nuk janë pjesë e tregut të punës.
Për këtë çështje u tha se është kryer një analizë e thellë e gjendjes aktuale mbi ekonominë dhe punën e papaguar të grave në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Shqipëri dhe Serbi me një seri nga 10 pyetje.
Rrezarta Delibashazade-Krasniqi, drejtoresh e Demokraci për Zhvillim (D4D), tha se tetë vjet më parë kanë gjetur se 8 nga 10 gratë në Kosovë nuk janë të punësuara as nuk kërkojnë punë sepse merren me punët e shtëpisë.
“Edhe sot 2023 po e shtrojmë çështjen e njëjtë dhe nga pyetësori kemi dalur në përfundim që gratë merren më shumë punë të shtëpisë dhe fëmijë. Nga të dhënat kemi gjetur që patriarkati ende është prezent në vendin e familjet tona”.
Agon Dobruna Zv.ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, tha se motori ekonomik në një shoqëri janë gratë dhe se po punojnë që mos të ketë diskriminim as në pushimin e lehonisë e çështje të tjera.
“Ky ndryshim është jo vetëm moral por edhe strategjik e ekonomik. Qeveria po punon edhe në Ligjin e punës si edhe do finalizohet dhe do përfshihet edhe kujdesi prindëror dhe kemi edhe sigurinë e asistencës sociale e cila do ndihmojë në nxitjen e punësimit të grave”.
Judita Krasniqi Hajdari, nga D4D, foli rreth metodologjisë dhe mënyrës se si është zhvilluar hulumtimi.
“Në pyetësorin janë përgjigjur ata që kanë marr pjesë nga disa vendet e rajonit dhe duke dal në konkluzion që mendësia patriarkale nuk është vetëm në Kosovë, por edhe përtej kufirit pra edhe në rajon dhe duhet marr iniciativa serioze”.
Kristian Lika, nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) nga Shqipëria, tha se problemet e Kosovës janë edhe ato të Shqipërisë, dhe se ka sfida shumë serioze për gratë nga pagesa deri te punësimi.
“Aspekti i informimit të grave është me rëndësi sepse vijmë nga një vend ku burrat kanë më shumë sipërmarrje dhe marrin pjesë më shumë në ekonomi dhe gratë rrinjë më shumë në shtëpia dhe merren me fëmijë”.
Kristjan Trajkovski, nga Qendra për Hulumtim dhe Bërje të Politikave (CRPM) nga Maqedoni e Veriut, tha se në këtë vend është problem edhe përzierja e etnive dhe kjo ngjallë shumë barriera në punësimin e grave dhe në rolin e tyre në shoqëri.
“Edhe në kemi këto tradita tradicionale të cilat po iu bëjnë dëm grave sepse thellë në mendësi të gjithë mendojnë që gratë janë për punë të shtëpisë dhe jo për punë më të mëdha dhe të gjitha të dhënat tona na tregojnë që burrat janë më të përfshirë sesa gratë ku këto të fundit edhe paguhen më pak dhe jo drejtë”, shtoi ai.
Andela Luçiq, nga Instituti për Studime Strategjike dhe Prognoza (ISSP) nga Mali i Zi, tha se nëse flasim për situatën në këtë vend nuk ndryshon shumë nga vendet e rajonit, raporton EO.
Svetlana Stefanovic, nga OJQ Shoqëri të Përgjegjshme nga Serbia, tha se duhen të punohet shumë në edukimin e vajzave.
“Duhet të hartohen një varg rekomandimesh që të përmirësohet sa më shumë mënyra se si i edukojmë vajzat tona dhe si i rrisim ato, që të kontribuojnë në shoqëri dhe duhet që të avokojmë këto politika dhe t’i zhvillojmë ato dhe mënyrën se si e zhvillojmë rolin e grave në shoqëri dhe t’i zbatojmë këto politika ku ky është problemi kyç në Serbi”.
Konferenca u organizua në kuadër të projektit: “Shfrytëzimi i Zhvillimit: Rritja e Qasjes së Grave në Punësim”.