Për herë të parë kur punëtorët u ngritën në protestën e Majit, në përpjekje për përmirësimin e kushteve të punës, ishte në vitin 1860, me qëllimin kryesor arritjen e orarit të punës prej 8 orëve në ditë. Kushtet e punës ishin mjaft të vështira dhe ishte shumë e zakonshme që të punohet nga 10 deri në 16 orë në ditë në kushte të pasigurta. Vdekja dhe lëndimet ishin të zakonshme për shumë vende të punës.
Megjithëse kushtet e punës janë përmirësuar dukshëm që nga ajo kohë; rritja e dinamikës së punës dhe një ekonomi gjithnjë në ndryshim, kanë çuar në një trend në rritje të orëve të punës, ku përqindja e njerëzve që punojnë më shumë se 48 orë në javë në Kosovë, tregon po ashtu një trend rritës. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 60 përqind e të punësuarve punojnë mesatarisht 40-48 orë në javë. Për më tepër, 10 përqind e njerëzve punojnë 60 ose më shumë orë në javë.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve të këtij viti, kjo storie jep një pasqyrë të gjetjeve nga anketa e fundit me gra punëmarrëse në tërë Kosovën. Përderisa burrat kanë tendencë të punojnë më gjatë se sa gratë, më konkretisht rreth 30 përqind e burrave në Kosovë punojnë më gjatë se 48 orë në javë; anketa e Riinvest-it tregon se gratë punojnë mesatarisht 6 ditë në javë (që është e barasvlershme me një javë pune prej 48 orësh). Kjo mesatare është e ndikuar nga numri i ditëve të javës për gratë që punojnë në sektorin privat, pasi që numri i ditëve të punës për gratë që punojnë në sektorin publik është mesatarisht 5 ditë në javë.
Duke i shtuar analizës mesataren e kompensimit për këta dy sektorë, shohim se gratë në sektorin privat punojnë mesatarisht një ditë më shumë në javë, që i bie të jetë 20 për qind më shumë se gratë e punësuara në sektorin publik, për deri sa paguhen 26 përqind më pak.
Përveç 7 orë e 30 minuta që gratë punojnë mesatarisht në një punë me pagesë, ato shpenzojnë 3 orë shtesë për kujdes dhe punë të shtëpisë që nuk paguhen. Kështu, gratë punojnë 10 orë e 30 minuta në mesatare, në atë që njihet si orar i dyfishtë.