Shtetet e Azisë Lindore radhiten në mesin e shteteve më të rrezikshme në botë kur vjen puna te jeta e aktivistëve të të drejtave të njeriut, shkruan sot “Koha Ditore”.
BBC-ja ka biseduar me disa prej grave nga rajoni që po poshtërohen publikisht prej organeve shtetërore për shkak se mbrojnë të drejtat e barabarta të grave, dhe këto gra kanë vuajtur pasi janë ndëshkuar me izolim, por edhe me tortura fizike e psikologjike si rezultat i punës së tyre për përmirësimin e gjendjes së grave.
“Nuk besoja se do të dilja gjallë”
Mbase ajo që ka përvojën më të tmerrshme është avokatja kineze, Wang Yu. Ajo nis e rrëfen fill e për pe përvojën e saj. Ishte ora një e mëngjesit kur nuk po mund të flinte. Ishte e shqetësuar ngase nuk po i vinte telefonata e pritur.
Burri dhe i biri i saj gjashtëmbëdhjetë vjeç ishin rrugës drejt aeroportit të Pekinit që të merrnin aeroplanin drejt Australisë, ku djali do t’i përfundonte studimet. Ata tanimë duhej t’i kishin kaluar procedurat e kontrollit. Por ajo nuk po ia dilte assesi që të vinte kontakt me ta.