Ish-amabasadori i Shteteve të Bashkuara në Gjermani dhe dikur i dërguar i posaçëm i ish-presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, i ka kritikuar ashpër demokratët në lidhje me çështjen e Kosovës, duke i akuzuar ata për dështim.
“Ata duan që njerëzit që kanë qenë këtej për një kohë të gjatë ta luajnë lojën e tyre. Për këtë arsye e urrenin Donald Trumpin, sepse ai vinte nga jashtë”, tha Grenelli për televizionin Neësmax.
“Mund t’ju tregoj që shembulli i përkryer është problemi i Serbisë dhe Kosovës. Kur unë u bëra i dërguar i posaçëm, m’u tha se duhet të shkoj dhe ta formoj ekipin tim me njerëz që kanë punuar në këtë çështje për 20 vjet dhe unë u thashë: A nuk mendoni se ata kanë punuar për këtë për 20 vjet dhe ndoshta kanë dështuar. Ndoshta unë duhet të marr ca ide të reja”, tha ish-zyrtari i lartë.
“Por kjo nuk shqyrtohet në Uashington, kjo është mendësia e outsider-ëve, të cilën ata e urrejnë”, shtoi Grenelli gjatë një interviste për këtë televizion.
“Ata nuk duan që askush nga jashtë të futet brenda (qeverisë). Ata duan të pretendojnë sikur janë të vetmit që i kuptojnë këto çështje të ndërlikuara”, tha më tutje Grenelli, duke e akuzuar Bidenin se i ka emëruar në administratën e re njerëzit e njëjtë, që kanë qenë duke pritur që nga koha e Obamës që të vijë dita e tyre.