Greta Thunberg rrethohet nga mbështetësit teksa mbërrin në samitin për ndryshimet klimatike

Prishtinë | 31 Tet 2021 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Greta Thunberg u rrethua nga mbështetësit teksa mbërriti në Glasgow para samitit Cop26, ku liderët botërorë do të diskutojnë veprimet për të trajtuar krizën klimatike.

Aktivistja suedeze mbërriti në stacionin qendror të Glasgow të shtunën në mbrëmje dhe u rrethua shpejt nga policia dhe aktivistë të tjerë teksa po kalonte nëpër stacion.

18-vjeçarja mbërriti me tren një ditë pasi iu bashkua një proteste jashtë selisë së Standard Chartered në Londër të premten.

Thunberg pritet të marrë pjesë në demonstrata të tjera gjatë ngjarjes dy-javore në Glasgow dhe të flasë në një tubim të organizuar nga Koalicioni Cop26.

Megjithatë, aktivistja ka theksuar se pjesëmarrja e saj formale në samit është e pasigurt pasi thotë se nuk është ftuar zyrtarisht në të, shkruan Independent, transmeton Klankosova.tv.

“Treni klimatik” mbërriti në Glasgow duke transportuar qindra aktivistë dhe politikanë evropianë në samit, pasi kishin udhëtuar nëpër Holandë dhe Belgjikë.

Aktivistëve iu bashkuan në rrugëtim ambasadorë, eurodeputetë dhe delegacione nga qeveritë e Holandës, Belgjikës, Italisë dhe Gjermanisë.

Konferenca ndërkombëtare Cop26 fillon zyrtarisht sot, me një samit të 120 personaliteteve dhe krerëve të shteteve që fillon të nesërmen.

Të ngjashme