Në Gjykatën Penale të Shkupit sot përsëri do të ketë përpjekje që të fillojë gjykimi për “Shuplakat në Komunën Qendër”.
Epilogu do të varet nga prezenca e gjithsej 14 të akuzuarve në këtë lëndë. I akuzuari i parë është kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski për veprën penale “dhunë”, për të cilën në Kodin Penal parashihet dënim me burg prej 6 muaj deri 5 vite.
Por për Gruevskin ky nuk është rasti i parë gjyqësor ku ai do ta dëshmojë pafajësinë.
Me vendimet e gjykatave javët e kaluara, numri një i opozitës në një të ardhme të afërt sipas të gjitha gjasave do të ballafaqohet edhe me tre lëndë tjera, ku akuzohet për gjithsej 3 vepra penale.
Në rastin TNT për rrëzimin e objektit Kosmos të Fiat Canovskit, tashmë është pranuar aktakuza dhe bombat si dëshmi. Gruevski akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, sipas Nenit të Ligjit që parasheh të paktën 3 vite dënim me burg, nëse dënohet.
Në rastin “Tanku” për blerjen e Mercedesit prej 600 mijë euro, Apeli i pranoi bombat si dëshmi. Nikola Gruevski në këtë rast akuzohet për marrje të shpërblimit për ndikim kundërligjor, ku parashihet dënim prej 6 muaj deri në 5 vite.
Dënim i njëjtë i kërcënohet Gruevskit nëse dëshmohet se është fajtor në lëndën “Trajektorja”, që ka të bëjë me procedurën për autostradat. Aktakuza për këtë rast u pranua javën e kaluar dhe pritet data për fillimin e gjykimit.
Gjithsejtë, për lëndët që kanë filluar ose lëndë që së shpejti do të hyjnë në fazën e gjykimit, Gruevski akuzohet për 4 vepra penale. Sipas dispozitave të Kodit Penal, dënimi i përgjithshëm për këto vepra sillet prej 4 vite e gjysmë deri 18 apo më shumë vite burg.
Por, këto nuk janë aktakuzat e vetme me të cilat mund të ballafaqohet Nikola Gruevski. Nga vendimet e gjykatave në javët e ardhshme do të varet nëse do të pranohet aktakuza për lëndën “Titanik”, në këtë lëndë Gruevski akuzohet për 3 vepra penale ku dënimi i përgjithshëm më i ulët është 9 vite.