Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka publikuar të martën pasdite listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Greqisë, që luhen në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Për shkak të telasheve me lëndime, në listë nuk janë sulmuesit Vedat Muriqi dhe Edon Zhegrova. Zhegrova megjithatë pritet të grumbullohet, ndonëse nuk është në listën zyrtare.
Mungesa e sulmuesit kryesor, Muriqi, nuk është telashi i vetëm i Kosovës për ndeshjen kundër Moldavisë, që luhet në Parma të Italisë më 3 shtator, si dhe atë kundër Greqisë, më 6 shtator në Prishtinë.
Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, thotë se shqetësimi më i madh është se lojtarëve mund t’u kërkohet karantimi pasi të kthehen në vendet ku jetojnë, pasi të përfundojnë grumbullimin disaditor me Kosovën. Brengat më të mëdha janë për futbollistët që luajnë në Zvicër.
“Goxha shumë na janë vështirësuar punët për faktin se Kosova është në listën e zezë të shteteve evropiane për udhëtim, që nënkupton që lojtarët do të kenë telashe për t’u kthyer në klubet e veta me qëndrimin në karantinë. Aktualisht ky është shqetësimi ynë kryesor dhe jemi duke provuar me çdo formë, me klubet e federatat e shteteve ku janë lojtarët, të gjejmë një zgjidhje që ata të mos futen në karantinë. Deri tash kemi shkuar mirë, problemi më i madh është me Zvicrën që ka rregulla goxha rigoroze dhe po hasim në vështirësi për ta siguruar kthimin e lojtarëve tanë pa u futur në karantinë”, ka thënë Shala për KOHËN.
Shala ka shtuar se për të pasur lehtësime për Benjamin Kolollin, Hekuran Kryeziun dhe Idriz Vocën është kërkuar ndihmë edhe nga Ambasada e Kosovës në Zvicër dhe nga UEFA. Ai ka theksuar se në kontakt janë edhe me zyrtarët e klubeve të futbollistëve.
Në fakt shteti i Zvicrës është më rigoroz për masat ndaj pandemisë së koronavirusit. Shkaku i masave të karantinimit, javë më parë Zvicra nuk lejoi që Drita ta luante ndeshjen parakualifikuese të Championsit në Nyon, pasi dy futbollistë të saj brenda pak ditësh dolën pozitivë në testimin për koronavirus.
Mst: Kosova, megjithatë, ndeshjen ndaj Greqisë do ta luajë në “Fadil Vokrri”
Kosova do të grumbullohet të hënën e ardhshme në Prishtinë, derisa më 2 shtator do të udhëtojë drejtë Italisë për ndeshjen kundër Moldavisë. Pas ndeshjes do të kthehet në Kosovë për t’u përgatitur për ndeshjen kundër Greqisë.
Ka qenë opsion që ndeshja ndaj Greqisë të luhet në Itali, por, sipas Shalës, ky opsion nuk vlen më.
Gjatë grumbullimit, futbollistët dhe stafi do të jenë nën masa të rrepta të izolimit. Nuk do të kenë kontakt me asnjë familjar, si në hotel ashtu edhe gjatë stërvitjeve. Dyert në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kur futbollistët e Kosovës do të stërvitin, do të jenë të mbyllura për shikues, derisa edhe në ndeshje numri i zyrtarëve dhe mediave do të jetë i kufizuar për ndeshjen kundër Greqisë.