Themelimi i një grupi ekspertësh që do t’i vlerësonte mundësitë e themelimit të një shkolle 8-vjeçare baleti, është premtimi i radhës që ka marrë drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.
Ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi, e ka pritur në takim atë, për të diskutuar rreth themelimit të shkollës kombëtare të baletit në Kosovë. Bytyqi është ministri i tretë që shqyrton kërkesën e njëjtë. Në adresë të tre ministrave deri tani ka kaluar kërkesa e iniciuar për themelimin e institucionit që cilësohet si i domosdoshëm për vazhdimësinë e baletit në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.
Javën që shkoi thirrjes për ta themeluar një shkollë të tillë iu bashkua edhe ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi. Nëpërmjet një letre të cilën ia kishte dërguar ministrit Bytyqi, të mërkurën e kaluar, ministri Gashi i ka kërkuar atij ta themelojë shkollën kombëtare të baletit në Republikën e Kosovës. Kësaj thirrjeje Bytyqi i është përgjigjur tërthorazi duke ftuar në takim drejtorin e Baletit të Kosovës. Për takimin e së hënës mes tyre, Bytyqi ka njoftuar vetë nëpërmjet rrjeteve sociale. Në “Facebook” ka shkruar se me Brahimajn e kanë vlerësuar si të nevojshme themelimin e kësaj shkolle, në mënyrë që të krijohen kuadro të reja për këtë degë arti skenik në Kosovë.
Sa i përket ndërtimit të një objekti ku do të funksiononte një shkollë e tillë, nuk është thënë asgjë konkrete. Ndërtimi i një shkolle baleti nuk figuron as në Projektbuxhetit e vitit 2019.