Grupi për Siguri dhe Çështje Gjinore: Udhëheqësit e rinj t’u përmbahen zotimeve për barazi gjinore

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 19:07 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Siguri dhe Çështje Gjinore iu ka bërë thirrje udhëheqësve politik të sapo zgjedhur që t’u përmbahen zotimeve për barazi gjinore.

Sipas tyre, në përvjetorin e rezolutës historike të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) rithekson se përfshirja dhe pjesëmarrja kuptimplotë e grave është kusht i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin demokratik.

Në vazhdën e pritjes së shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për legjislativin e Kosovës, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore, përmes kësaj komunikate për media, thotë se ua rikujton partive politike detyrimin e tyre për të siguruar përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave gjatë dhe pas procesit zgjedhor në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-020 për barazinë gjinore i cili parasheh që:

“Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji” (Neni 6, paragrafi 7). Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse (neni 7 paragrafi 8)”

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore shprehë keqardhje që në listat e kandidatëve, partitë politike vendosën të zbatojnë standardet minimale të përcaktuara në Ligjin Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, në vend se të synojnë avancimin, deri në përfaqësimin e plotë të barazisë gjinore duke respektuar Ligjin për Barazinë Gjinore.

“Kjo ndodhi përkundër shqetësimeve të ngritura nga organizatat për të drejtat e grave dhe pas ngritjes së rastit gjyqësor nga Avokati i Popullit në të cilën ai theksoi se dispozitat e Ligjit për barazi gjinore si lex specialis kanë përparësi ndaj dispozitave të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore nënvizon nevojën urgjente që Ligji për zgjedhjet e përgjithshme të harmonizohet me Ligjin për barazi gjinore në mënyrë që Kosova të jetë e pozicionuar mirë për arritjen e një standardi më të lartë për përfaqësimin e grave në politikë dhe vendimmarrje”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas tyre, derisa kishte një rritje të vogël të numrit të grave kandidate në zgjedhjet e parakohshme legjislative nga 31.1 për qind në vitin 2017 në 31.2 për qind në vitin 2019, raporti paraprak i Misionit Evropian të Vëzhgimit të Zgjedhjeve konkludoi se platformat politike nuk kanë adresuar sa duhet çështjet gjinore dhe pjesëmarrja e grave në tubimet e vëzhguara ishte mesatarisht 23 për qind ndërsa folëset femra përbënin 22 për qind të totalit të folësve në tubimet e vrojtuara.

“Pjesëmarrja e barabartë e grave dhe burrave në vendimmarrje është kusht i domosdoshëm për funksionim më të mirë të një shoqërie demokratike dhe partitë politike kanë rolin kryesor të ‘ruajtësve’ të demokracisë dhe pjesëmarrjes së grave. Ky është gjithashtu një kusht thelbësor për institucionet e Kosovës që të respektojnë plotësisht standardet ndërkombëtare dhe rajonale siç pasqyrohen në CEDAW dhe acquis communautaire të BE-së. Prandaj, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bënë thirrje të gjithë liderëve politikë të zgjedhur që të rrisin përpjekjet e tyre për të adresuar nën-përfaqësimin e grave në vendimmarrje, veçanërisht në nivele të larta. Në këtë drejtim, Grupi për Siguri dhe Çështje Gjinore inkurajon liderët e zgjedhur që të respektojnë standardin minimal prej 50 për qind të përfaqësimit të grave në institucionet qeveritare në përputhje me kriteret e përcaktuara në Ligjin për Barazi Gjinore. Masat e tilla do të sigurojnë që qeveria e re të respektojë plotësisht dhe të përfaqësojë pikëpamjet e të gjitha grave dhe burrave në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme