Moskoordinimi i institucioneve të Kosovës, vështirësitë në hartimin e legjislacionit, mungesa e hartimit të strategjive dhe me theks të veçantë mosbuxhetimi i kësaj marrëveshje ka bërë që Kosova të mos mund t’i përmbush detyrimet që dalin nga MSA-ja.
Kështu u tha në tryezën me temën “Një vit pas hyrjes në fuqi të MSA-së: A jemi me afër integrimit në BE?”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), ku edhe u prezantuan të gjeturat e hulumtimit të zbatimit të MSA-së, raporton Ekonomia Online.
Andaj u theksua se Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) si duket ka dështuar t’i përmbushë obligimet që dalin nga MSA-ja.
Albana Mejra, nga GSJP-ja theksoi se gjatë prezantimit të të gjeturave tha se në vitin 2016 detyrimet që dalin nga MSA-ja Kosova ka arritur t’i përmbush vetëm 36 për qind.
“Vet fakti kur është hartuar plani ne si GSJP kemi qenë kundër, sepse plani nuk ka qenë i buxhetuar. Ne e kemi monitoruar planin pasi që është i ndarë me detyra çdo tre mujor. Deri në qershor të 2016 ishin zbatuar vetëm 27 për qind e masave. Vështirësia e madhe e Kosovës apo dështimi ka qenë hartimi i legjislacionit dhe mos koordinimi i institucioneve”, ka thënë ajo.
“Mosbuxhetimi është mangësi shumë e madhe. Institucionet kanë pasur vështirësi në hartimin e këtyre masave për shkak të mungesës së buxhetit”, ka theksuar Merja.
“Nga 178 masa që kanë qenë për t’u realizuar në pjesën e dytë të vitit 2016 janë realizuar vetëm 73 prej tyre dhe pjesa tjetër kanë mbetur pa u realizuar. Në pjesën e dytë të vitit 2016 në total janë realizuar vetëm 36 për qind e masave. Pengesë tjetër ka qenë hartimi i strategjive”.
Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, tha se janë të vetëdijshëm që kapaciteti administrativ dhe vullneti politik po mungon në Kosove “dhe ne po bëjmë më të mirën që t’ju shoqërojmë në rrugën tuaj në zbatimin e MSA-së”.
“Politika ka qenë e zënë me tema tjera, që ka qenë liberalizimi i vizave, demarkacioni. Kemi programe të shumta që mbështeten nga ne. Unë vetëm shpresoj që kjo temë të kthehet në pah, sepse MSA-ja është rruga juaj drejt BE-së”, ka thënë Viets.
Ndërsa, ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, theksoi se hyrja në fuqi e MSA-së ka shënuar një kapitull të ri. Sipas saj, deri në nënshkrimin e MSA-së Kosova nuk ka pasur asnjë raport direkt me BE-në.
“Kjo marrëveshje ka njohur entitetin politik dhe ligjor të Kosovës. MSA-ja përbën edhe hapin zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Pesë vjet më parë në integrimin evropian ka qenë e pamundur të bëhet kjo marrëveshje”, ka thënë ajo.
“MSA-ja ka krijuar edhe struktura të reja ndërmjet BE dhe Kosovës dhe një dialog politik, duke e nënvizuar që liberalizimi i tregut ashtu siç është paraparë me MSA-në”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Kosova do të mbrojë disa produkte të veta dhe se gjatë viteve në vijim do të ketë ndikim pozitiv në tërheqjen e investitorëve të huaj.
Ndërsa, Njomza Emini, kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, tha se “ne si komision jemi unik kur është fjala për integrime evropiane, pra tek ne nuk ka pozitë dhe opozitë”.
“Jo vetëm ne, por edhe vendet tjera qe kanë pasur këtë marrëveshje nuk e kanë arritur. Ne si mbikëqyrës të qeverisë për zbatimin e MSA-së mund të themi që nuk jemi mirë dhe se nuk mund ta mohojmë që kanë qenë edhe disa zhvillime që kanë penguar zbatimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë ajo.
“Zbatimi i MSA-së jo vetëm që përgatit vendin tonë në hapa për anëtarësimin në BE, por ka edhe një ndikim në stabilitetin politik, social e ekonomik të vendit”, ka theksuar ajo.
Marrveshja e Stabilizim Asocimit cilësohet si dokumenti më i rëndësishëm që ka nënshkruar Kosova pas pavarësisë së saj. MSA-ja paraqet marrëveshjen e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së.