Pep Guardiola ka thënë se e harroi stilin e lojës së Manchester Cityt dhe u kthye në gjërat themelore para se skuadra e tij të fillonte serinë e tyre rekord me 15 fitore radhazi.
City mbeti pesë pikë prapa Tottenham në krye të Premier Ligës pas një barazimi zhgënjyes 1-1 në shtëpi ndaj West Brom, njofton Goal.
Guardiola tha se nuk ishte i kënaqur me performancën e skuadrës së tij pasi fitoi vetëm pesë nga 12 ndeshjet e para.
Trajneri spanjoll mbajti një takim me asistentët e tij dhe me drejtuesit e klubit, ku diskutuan problemet të cilat po kalonin.
“Ne mund të kishim fituar kundër West Brom pasi kishim dy shanse të pabesueshme në fund, por pas asaj loje, unë ndjeva se nuk është ekipi që e njoh. Nuk më pëlqente ajo që pashë, nuk më pëlqeu ajo që pashë”.
“Ne biseduam me Juanma, Rodo, Manel dhe Txiki dhe thamë, ‘në rregull, ne duhet t’i kthehemi parimit tonë të parë’, dhe na duhej të rindërtonim ekipin nga ajo pikë. Çfarë jemi ne si ekip, si kishim sukses në të kaluarën”.
“Ne duhet të ktheheshim në lojën tonë, të lëviznim topin më shpejt, të bënim më shumë pasime, të qëndronim në pozitë, të vraponim më pak me top, ta bënim së bashku. Ne nuk kemi një lojtar specifik për të fituar ndeshje, duhet ta bëjmë së bashku. Kjo na ndihmoi që më pas të shkojmë në një seri pa dështime, e cila tash na sheh në krye të tabelës”, shtoi Guardiola.