Guvernatori i Bankës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, parashikon se në rastin më të keq Kosova do të ketë një tkurrje të ekonomisë me 4% për shkak të pandemisë së COVID-19. Por, ndërsa Banka e Kosovës ka këtë parashikim, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë një parashikim edhe më negativ.
“Nuk mund të bëjmë një parashikim të saktë makro ekonomik ende. Sipas një vlerësim paraprak, parashikohet një rënie nga -2 deri në -4. FMN parashikon -5 dhe Banka Botërore shkon deri në -11%. Ka dy të panjohura se sa do të jetë zgjatja dhe cilat do të jenë përmasat. Kjo pandemi ka pasur efekt të madh dhe të menjëhershëm në të gjithë globin dhe nuk dihet e se, sa do të jenë përmasat e pandemisë dhe kur do të përfundojë”, deklaroi z. Mehmeti.
Guvernatori i Bankës së Kosovës, deklaroi se një nga masat që është marrë ka qenë shtyrja e kredive me tre muaj, ndërsa shtoi se vendi ka një situatë të tregut financiar të mirë.
“Norma e interesit ka rënë në 6.2% dhe është në niveli me normën mesatare të vendeve të rajonit. Kemi moratorium për 3 muaj, duke shtyrë pagesën e kësteve të kredisë. 65 mijë kërkesa janë paraqitur. Për biznese janë aprovuar 99%, ndërsa për persona fizik janë miratuar 86%”, përfundoi z. Mehmeti.