Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatorët, prezantoi para shefave dhe përfaqësuesve të misioneve diplomatike në Kosovë zhvillimet e fundit makroekonomike dhe në sektorin financiar, reformat kryesore institucionale, si dhe progresin drejt integrimit financiar evropian.
Në takim morën pjesë shefa dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, si dhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Këshillit të Evropës, EULEX-it, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Gjatë prezantimit u theksua përkushtimi strategjik i BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbikëqyrëse, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe avancimin e përafrimit të kornizës rregullative me standardet e Bashkimit Evropian.
Guvernatori Ismaili theksoi se sektori financiar i Kosovës vazhdon të jetë stabil, i qëndrueshëm dhe i mirëkapitalizuar, duke ofruar një bazë të shëndoshë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe integrim të mëtejshëm financiar. Treguesit e sektorit bankar konfirmojnë qëndrueshmërinë e tij, me normën e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.4 për qind, treguesin e mbulimit me likuiditet prej rreth 300 për qind dhe nivelin e ulët të kredive joperformuese prej 2.0 për qind.
Duke u mbështetur në këtë bazë, BQK-ja po vazhdon zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse për forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimin e kornizës makroprudenciale, zhvillimin e mekanizmave për rimëkëmbjen dhe pwrmbylljen e bankave, përmirësimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe forcimin e integritetit financiar. Theks i veçantë iu kushtua përafrimit me kornizën rregullative të BE-së, përfshirë kërkesat për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (PPP/LFT), raportimin mbikëqyrës, rregullimin e sektorit të sigurimeve dhe modernizimin e sistemeve të pagesave.
Integrimi në sistemet evropiane të pagesave u theksua si një nga prioritetet kryesore strategjike të BQK-së, me fokus të veçantë në anëtarësimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Pas miratimit të ndryshimeve në legjislacionin për PPP/LFT, BQK-ja është duke përfunduar hapat e mbetur proceduralë të brendshëm për finalizimin dhe dorëzimin zyrtar të aplikimit të Kosovës në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC).
Pjesëmarrja e Kosovës në SEPA përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit më të thellë në tregun financiar evropian, duke mundësuar pagesa ndërkufitare në euro më efikase, më të sigurta dhe me kosto më të ulët. Sipas vlerësimeve të BQK-së, anëtarësimi në SEPA mund të sjellë kursime vjetore prej mbi 55 milionë eurosh për qytetarët, bizneset dhe diasporën, duke forcuar njëkohësisht ndërlidhjen ekonomike me Bashkimin Evropian.
Guvernatori i BQK-së prezantoi gjithashtu progresin në zhvillimin e sistemit TIPS Clone (TIPS-K), infrastrukturës së re të Kosovës për pagesa të shpejta, që po realizohet në bashkëpunim me Bankën e Italisë (Banca d’Italia). Kjo nismë strategjike synon të mundësojë realizimin e pagesave brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit, përfshirjes financiare, inovacionit dhe konkurrueshmërisë në sektorin financiar.
Përgatitjet për TIPS-K janë duke avancuar, ndërsa fillimi i fazës pilot synohet deri në fund të nëntorit 2026, në varësi të përfundimit me sukses të testimeve teknike dhe përmbushjes së kërkesave për gatishmëri operacionale.
Guvernatori Ismaili theksoi gjithashtu kontributin e rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe asistencës teknike në agjendën reformuese të BQK-së. Ai vlerësoi mbështetjen e çmuar të bankave qendrore të vendeve partnere, si dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, përmes asistencës teknike dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale. Këto partneritete kanë luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e kornizave rregullative dhe mbikëqyrëse, avancimin e reformave në sektorin financiar dhe mbështetjen e përafrimit të sistemit financiar të Kosovës me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.
“Stabiliteti financiar, reformat institucionale dhe integrimi evropian janë prioritete që përforcojnë njëra-tjetrën në veprimtarinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Objektivi ynë është të sigurojmë që përafrimi me standardet evropiane të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi. SEPA dhe TIPS-K janë iniciativa transformuese që do të forcojnë ndërlidhjen financiare të Kosovës me Evropën dhe do të kontribuojnë në një sistem financiar më efikas, më konkurrues dhe më gjithëpërfshirës”, deklaroi Guvernatori Ismaili.
Gjatë diskutimit përmbyllës, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët shkëmbyen pikëpamje me pjesëmarrësit lidhur me prioritetet reformuese dhe zhvillimet e prezantuara.
Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij të sinqertë për përfaqësuesit diplomatikë, institucionet evropiane, bankat qendrore të vendeve partnere dhe institucionet financiare ndërkombëtare, për bashkëpunimin e vazhdueshëm, asistencën teknike dhe mbështetjen e agjendës reformuese të BQK-së. Ai riafirmoi përkushtimin e BQK-së për forcimin e këtyre partneriteteve, avancimin e reformave institucionale dhe integrimin e mëtejshëm të Kosovës në arkitekturën financiare evropiane.

