Disa sekonda para se një armëpushim t’i jepte zyrtarisht fund Luftës së Parë Botërore, më 11 nëntor 1918, ushtari amerikan nga Baltimore, Henry Nicholas Gunther, po e ndërmerrte i vetëm mësymjen e fundit kundër folesë së makinerisë luftarake gjermane në verilindje të Francës.
Ushtarët gjermanë, kishte raportuar “The Baltimore Sun” shumë vjet më vonë, qenë përpjekur ta sprapsnin, por ai nuk ndaloi, për t’u tretur në fund nën breshërinë e zjarrit artilerik – duke u bërë i fundit ushtar i cilitdo vend që u vra në këtë konflikt – në orën 10:59, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”.
Vetëm një minutë më vonë, nën kushtet e dakorduara të armëpushimit që iu vunë firmat gjashtë orë më herët, e ashtuquajtura “luftë e madhe” apo “lufta për t’iu dhënë fund të gjitha luftërave”, kishte përfunduar dhe bota nisi shtegun e ndryshimit.
Numri i viktimave të konfliktit që shpërtheu më 1914 shkoi deri në disa miliona, përfshirë ushtarakë dhe civilë. Që atëherë, vetë natyra e luftimit ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme.
Perandoritë u shkatërruan, shtete të reja lindën dhe harta e botës u rishkrua në atë mënyrën që kumbon fuqishëm edhe sot, një shekull pas. Teksa burrat u rreshtuan në vija të frontit, gratë morën rolin e fuqisë punëtore në shtëpi, gjë kjo që e përshpejtoi emancipimin e tyre dhe e ndryshoi përgjithmonë rolin e tyre në shoqëri.