Haaland feston me familjen, partnerja e tij publikon momente nga triumfi i Norvegjisë

Prishtinë | 01 Kor 2026 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Partnerja e Erling Haaland, Isabel Haugseng Johansen, ka ndarë në rrjetet sociale disa momente nga atmosfera në stadiumin në Dallas, pasi Norvegjia siguroi kualifikimin në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës me fitoren 2:1 ndaj Bregut të Fildishtë.

Në fotografitë e publikuara, Isabel pozon së bashku me Haalandin, nënën e tij Gry, motrën Gabrielle, vëllanë Astor dhe partneren e tij Thea.

“Ëndërr! Jemi të gjithë shumë krenarë”, ka shkruar Isabel krahas postimit në Instagram.

Postimi u shoqërua me komente të shumta nga fansat, ku disa e cilësuan çiftin si të preferuarin e tyre, ndërsa të tjerë, veçanërisht tifozë brazilianë, shprehën dëshirën për një përballje spektakolare mes Brazilit dhe Norvegjisë.

Erling dhe Isabel njihen që nga fëmijëria.

Ata janë rritur në Bryne të Norvegjisë dhe kanë luajtur për klubin lokal Bryne FK, ndërsa lidhjen e tyre e nisën në vitin 2021.

Çifti përpiqet ta mbajë jetën private larg vëmendjes së publikut.

Në dhjetor të vitit 2024 ata u bënë prindër të një djali, por ende nuk kanë zbuluar emrin apo fotografi të tij.

Haaland ishte vendimtar në fitoren ndaj Bregut të Fildishtë, duke realizuar golin e fitores për rezultatin 2:1 pas një asistimi nga Berg.

Me këtë sukses, Norvegjia u kualifikua në 1/8 e finales, ku më 5 korrik do të përballet me Brazilin.

Të ngjashme