Hagë: Dëshmitari i Prokurorisë në cilësinë e “ekspertit” dikur thoshte se kosovarët kishin kryer spastrim etnik

Prishtinë | 18 Kor 2023 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Frank Ledwige, ish-oficer i shërbimeve të Intelegjencës së Britanisë e punëtor në Bosnje e Kosovë, ka nisur dëshminë e tij pranë Dhomave të Specializuara të Hagës në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokuroria e Specializuar këtë dëshmitar e ka thirrur në cilësinë e ekspertit. I njëjti ka pranuar se ka realizuar disa intervista e raporte në vitin 1998 në Rahovec, ku ka marrë deklarata nga serbët familjarët e të cilëve ishin zhdukur.

Megjithatë, Ledwige, tash në në cilësinë e ekspertit, dikur kishte dhënë disa qëndrime të çuditshme.

Nacionale e ka parë një intervistë që Ledwige e kishte dhënë për Rrjetin e Kërkimeve të Mbrojtjes, me seli në Mbretërinë e Bashkuar.

Në një bashkëbisedim me këtë rrjet, në faqen e tyre zyrtare, mund të evidentohen disa deklarata që ndërlidhen me Kosovën dhe punën e tij. Ledwige kishte thënë se kosovarët posa kishin ardhur në krye, pra duke pretenduar pas përfundimit të luftës, kishin filluar spastrimin etnik dhe vrasjet.

“Pasi kisha qenë vonë për luftën në Bosnjë, isha mu në kohë për atë në Kosovë, që filloi më 1998. U vendosa në Kosovë si pjesë e ekipit të Zyrës së Jashtme Britanike bashkuar OSBE-së gjoja për të vëzhguar një armëpushim, por ne e gjetëm veten më shumë duke vëzhguar shkelje si dhe krime lufte të rregullta. Unë isha atje në fillim, por edhe në fund, me një ndërprerje të shkurtër në Shqipëri, duke bërë punë lehtësuese për refugjatë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Porsa kosovarët erdhën në krye, ata i filluan rutinat e njëjta të spastrimit etnik e vrasjes që i kishim parë para luftës”, kishte deklaruar Ledwige në këtë faqe. Intervistë të cilën mund ta lexoni KËTU.

Ledwige aktualisht po jep dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në cilësinë e ekspertit, dhe për këtë mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka pasur kritika të ashpra.

Mbrojtja e Kadri Veselit e ka cituar një deklaratë të këtij dëshmitari, i cili kishte thënë se ka marrë autorizim nga një kolonel serb për të dërguar informacione në Hagë.

“Kërkoj ndjesë, mbrojtja e Veselit desha të them se ka disa sygjerime nga deklarata e këtij dëshmitari. Në faqen 12 është autorizuar të mbledhë ifnromacione e t’i kalojë në Hagë. Ka marrë autorizim për ta bërë një gjë të tillë. Gjatë dy bisedave me kolonelin Milan Petroviq, më pyeti nëse kam autoritetin për të transferuar informacione në Hagë, unë përpara këtij takimi kam marrë autorizim për ta bërë këtë. Këtë ia thashë kolonelit. Disa prej infromacione të mbledhura janë mbledhur për këtë qëllim”, tha njëri nga avokatët e Veselit.

Ky dëshmitar është marrë në pyetje nga Prokuroria e Specializuar, dhe aktualisht po pyetet edhe nga mbrojtja e krerëve të UÇK-së.

Ledwige në dëshminë e tij ka folur për një grua serbe të cilën e kishte intervistuar, të cilës thotë se i ishte zhdukur bashkëshorti.

“Sllagjana Bajozeviq. Më kujtohet Sllagjana që ishte ulu përballë meje, nuk e mbaj në mend nëse ka qenë ajo ditë. Ajo ka qenë njëra prej personave që e kemi takuar shpesh. Sa i takon Sllegjanës me sa më kujtohet ka qenë…kanë ardhë na ka parë bashkë me vjehrrën e saj. Disa të tjerë i kemi takuar në këto deklarata. Burri i Sllagjanës ishte rrëmbyer dhe kishte disa muaj i zhdukur. Kishte një fëmijë të vogël që ishte marrë edhe peng, me sa më kujtohet ishte e stresuar dhe me raste të caktuara ishte e dëshpëruar me punën e atyre që po merreshin me hetimin e zhdukjes së burrit të saj”, deklaroi ky dëshmitar.

Ai flet për një bisedë me një tjetër serb që gjithashtu pretendonte se një familjar i tij ishte zhdukur.

Avokatët e krerëve të UÇK-së kanë theksuar se një pjesë e dëshmisë që e ka dhënë më parë ky dëshmitar, është e mbushur me opinione dhe nuk do të duhej të merrej parasysh.

Të ngjashme