Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, hedh dritë mbi një sërë çështjesh të aktualitetit politik në vend, ku tregon perspektivën që ka Shqipëria për t’u anëtarësuar në BE.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Tema”, Hahn jep vlerësimin e tij për hapat e hedhura nga qeverisja “Rama”, si dhe apelon ndaj palëve politike që të rrisin bashkëpunimin në mënyrë që të arrihen rezultate të prekshme për qytetarët.
Ai rekomandon se duhet të vijojë më tej puna për të përmbushur pesë prioritetet kryesore dhe veçanërisht lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
I pyetur lidhur me paralajmërimin për “bashkim kombëtar” në rast se BE mbyll dyert për Shqipërinë dhe Kosovën, Hahn gjykon se ky diskutim është i rrezikshëm dhe i papranueshëm, duke shtuar se duhet parë e ardhmja e të gjithë rajonit.
Ndërkohë, Komisioneri rendit edhe disa këshilla për ligjvënësit në Shqipëri dhe Kosovë, mes të cilave, sipas tij, mund të garantohet progresi i vendeve drejt familjes europiane.
Më tej ai ka një shpjegim edhe për alarmin e ngritur nga disa aktorë politik për ndikimin rus në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Zoti Hahn, çfarë mendimi keni për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri? A janë përmbushur pritshmëritë tuaja apo prisni më shumë nga politika shqiptare?
Unë përshëndes faktin që zgjedhjet u zhvilluan pa u bojkotuar nga partitë politike. Bashkëpunimi ndërpartiak do të jetë thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit. Gjithashtu, përshëndes mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë paqësore dhe pa incidente të mëdha. Autoritetet shqiptare tani do të duhet të punojnë ne lidhje me vëzhgimet e dokumentuara nga OSBE – ODIHR, në veçanti për politizimin e tepërt në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore.
Tani ne presim një qeveri të vendosur për ta çuar vendin përpara në rrugën e integrimit drejt BE-së, nëpërmjet reformave te vazhdueshme. Qeveria e re duhet përqendrohet veçanërisht në zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut, i cili është vendimtar në drejtimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Bazuar në ecurinë e qeverisë, zgjedhjet dhe fillimin e implementimit të reformës në drejtësi, sipas gjykimit tuaj, cilat janë shanset që Bashkimi Europian të hapë negociatat e anëtarësimit në dhjetor?
Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave duke u bazuar në progresin e besueshëm dhe të ndjeshëm të implementimit të reformës në drejtësi, veçanërisht në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mund të themi se me ngritjen e organeve të verifikimit është arritur shumë progres. Presim që në vjeshtë këto organe të fillojnë punën. Rekomandimi ynë do të varet nga rezultatet e arritura. Gjithashtu, është po aq e rëndësishme që puna për pesë prioritetet kryesore të vazhdojë, veçanërisht lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Zgjedhjet tashmë kanë përfunduar, por ka një numër reformash që kërkojnë bashkëpunimin e së majtës dhe të djathtës. Si do të ndikonte në progresin e vendit një koalicion midis dy forcave më të mëdha politike në Shqipëri?
Një qeveri e përgjegjshme që është e angazhuar për reforma dhe një opozitë konstruktive janë vendimtare. Politikat bllokuese dhe politikat partiake jo largpamëse, do të ishin të dëmshme për procesin demokratik. Të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të arritur rezultate të ndjeshme për të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Presidenti i Kosovës Thaçi, kandidati për kryeministër Kurti si dhe kryeministri shqiptar Rama kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre mbi një bashkim të mundshëm kombëtar nëse BE nuk hap dyert për të dy vendet. Si e vlerësoni këtë deklaratë?
Para së gjithash, ekziston një perspektivë e pakontestuar qe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët në rajon në mënyrë bilaterale për rrugën e tyre europiane.
Siç e kemi stërthënë unë dhe përfaqësuesja e lartë, zonja Mogherini, deklarata të cilat mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje, nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe e ekspozojnë rajonin ndaj rreziqeve të retorikës përshkallëzuese dhe tensioneve etnike. Ky apel vlen për të gjithë aktorët kryesorë te politikës në rajon, të cilët me veprimet dhe deklaratat e tyre duhet të tregojnë përgjegjësi për stabilitetin e të gjithë rajonit.
Bashkimi Europian pret që të gjithë udhëheqësit e rajonit të vazhdojnë ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive, bashkëpunuese dhe të intensifikojnë punën me programet përkatëse të reformave për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian. Samiti në Trieste tregon rolin kyç të bashkëpunimit dhe ndërlidhjes së suksesshme rajonale për përgatitjen e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
A është i mundur një bashkim midis dy vendeve nëse të dy qeveritë shprehin vullnetin e tyre të lirë në këtë drejtim?
Ky diskutim është i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Mendoj se është e rëndësishme të shikohet perspektiva e të gjithë rajonit. E gjithë energjia dhe fokusi duhet të drejtohen tek axhenda e reformave të lidhura me tri shtyllat e strategjisë së zgjerimit: sundimi i ligjit, qeverisja ekonomike dhe reforma e administratës publike. Kjo do të përmirësojë kushtet e jetës së qytetarëve.
Z.Hahn, Kosova mbeti i vetmi vend në Ballkan që ka nevojë për viza në mënyrë që të udhëtojë në territorin e BE-së. Ky izolim ka sjell një migracion masiv të paligjshëm duke sjellë një rrezik të madh. Cili është plani i BE-së për zgjidhjen e këtij problemi?
E kuptojmë rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës. Komisioni ka lëshuar një propozim për liberalizimin e vizave me Kosovën në maj të vitit 2016. Ky propozim parashtron dy kërkesat e mbetura: forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Trajtimi i këtyre kërkesave duhet të jetë prioritet i menjëhershëm i qeverisë së re të Kosovës dhe i parlamentit të saj.
Kosova përfundoi zgjedhjet elektoralet. Cilat janë shanset që qytetarëve të saj mos i kërkohet më vizë për të udhëtuar në BE?
Prioriteti për Kosovën tani është të formojë një qeveri të bazuar në shumicën parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat parlamentare. Çdo qeveri e re do të duhet të angazhohet në perspektivën e vendit ne BE dhe të kryejë reforma thelbësore në veçanti ato të sundimit të ligjit dhe ekonominë si edhe të angazhohet seriozisht në dialogun me Serbinë.
Ajo duhet të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve të saj dhe liberalizimi i vizave është një nga pritshmëritë kryesore. Këto do të jenë vendimtare për Kosovën që të përparojë në rrugën e saj evropiane për të cilën jemi të angazhuar. Komisioni është i gatshëm të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugës, por përgjegjësia qëndron tek politikanët e Kosovës.
Gjithnjë e më tepër vendet e Ballkanit alarmohen për ndikimin rus. Nën gjykimin tuaj sa i rrezikuar është në të vërtetë? A duhen marrë seriozisht deklaratat që flasin për këtë?
Të gjitha vendet e rajonit kanë si synim strategjik integrimin ne Bashkimin Europian dhe të gjitha kanë një perspektivë të qartë europiane. Kjo është ajo për të cilën ne si Bashkimi Europian po punojmë. Ne jemi të përkushtuar ta shohim rajonin në një rrugë të pakthyeshme drejt BE-së.
Afrimi i Ballkanit Perëndimor sa më pranë, mbështetja e reformave dhe forcimi i lidhjeve politike apo ekonomike me rajonin janë prioritetet tona. Kjo është në interesin strategjik të Bashkimit Europian dhe të rajonit.
Me një perspektivë të qartë europiane, ky rajon është më i afërt me Bashkimin Europian në aspektin e gjeografisë, historisë, kulturës, vlerave, dhe e fundit, por jo më pak të rëndësishme –ekonomisë; me BE-në si partneri kryesor tregtar për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe si burimi më i madh i investimeve të huaja. Vendi i rajonit natyrshëm është brenda Bashkimit Europian ku shumica e njerëzve në të gjithë rajonin mendojnë në të njëjtën mënyrë.
Ne duam që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të kenë të njëjtat përfitime që më shumë se 500 milionë qytetarë në të gjithë BE-në kanë; kushte më të mira sociale dhe ekonomike, sundim të ligjit dhe më shumë mirëqenie. Kjo është një perspektivë e vërtetë dhe jo lajm i rremë. Unë nuk shoh ndonjë alternativë tjetër gjeopolitike që do të përputhet me tonën, qoftë në kushtet e ambicieve, përfitimeve dhe kredibilitet.
Cilat janë rekomandimet dhe këshillat që përcillni për ligjvënësit shqiptar në këtë ligjeslaturë?
Rekomandimi im i parë do të ishte forcimi i mëtejshëm i zërit të qytetarëve shqiptarë, duke përforcuar kështu lidhjet midis qytetarëve dhe procesit demokratik të vendit. Së dyti, unë do të inkurajoj deputetët që të punojnë së bashku për prespektivën e Shqiperisë në BE përtej vijave partiake. Kjo do të jetë një sfidë e madhe për parlamentin e sapozgjedhur. Së treti, do të jetë e rëndësishme që Parlamenti të vazhdojë angazhimin e tij për zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vetting-ut. Qytetarët e presin këtë dhe ata nuk duhet të zhgënjehen.