Paketa e Zgjerimit 2019 pritet të diskutohet këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 11:30, mes eurodeputetëve të Komisionit të Punëve të Jashtme, pas prezantimit që do të bëhet nga komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn.
Parlamenti Europian ka bërë më herët thirrje për vendet anëtare të BE-së, që të nisin formalisht bisedimet e anëtarësimit njëherazi me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, këtë verë.
Megjithatë, krerët e shteteve të BE-së dhe qeverive respektive pritet të marrin vendimin përfundimtar nëse do të nisin apo jo këto negociata, gjatë një samiti të BE-së në Bruksel që do të mbahet në qershor.
Anëtarë të këtij komisioni duan gjithashtu që vendet e BE-së të liberalizojnë vizat për Kosovën, tanimë që të gjitha kriteret dhe kushtet janë përmbushur, ndërkohë që kanë bërë thirrje si për Prishtinën, ashtu dhe për Beogradin që të rifillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Raportimet specifike për secilin vend në paketën e re të Komisionit do të shërbejnë si bazë për europarlamentarët që të përgatisin rezolutat e detajuara për secilin vend.