Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi një takim me Komisionerin europian për Zgjerimin, Johannes Hanh, në Bruksel.
Në një prononcim për mediat komisioneri Johannes Hahn tha se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet.
“Kishim një marrëveshje bazuar mbi një vendim unanim të të gjithë vendeve anëtare për 5 prioritetet kyçe, mbi të cilat përpiluam një vlerësim vjet, përsëri këtë vit bëmë një vlerësim dhe rekomanduam këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, që të nisin negociatat. Nëse nuk ndodh sot, sepse është agjenda e Këshillit Europian, nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit”.
“Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Europës dhe mendoj që është e rëndësishme që ta dinë qytetarët e Shqipërisë këtë. Do doja vetëm të inkurajoja qeverinë të vazhdojë me reformat që po zhvillojnë, sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet për të na kënaqur ne. Përsa i përket Komisionit Europian, ne jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta, për të përmirësuar kushtet e jetesës në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri”.
“Do të bëjmë gjithçka dhe shpresoj që sapo të zgjidhen problemet e brendshme të BE-së, të ketë një ndikim pozitiv edhe mbi anëtarësimin e rajonit”.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se kanë bërë atë që është kërkuar.
“Po përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Europian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi”.
“Kjo do të thotë që, nga njëra anë, ne duhet ta kuptojmë qartë këtë situatë dhe nga ana tjetër ta vazhdojmë procesin e reformës, sepse, siç e tha dhe Komisioneri, nuk i bëjmë pse po na i kërkon Brukseli, Londra, Parisi, apo Berlini, por i bëjmë sepse na i kërkon nevoja që t’u lemë fëmijëve tanë një Shqipëri europiane, me institucione demokratike, me një shtet institucional të së drejtës dhe një ekonomi me standarde të Bashkimit Europian”.