Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në Kuvendin e Kosovës ka folur rreth ngritjes së aktakuzës ndaj saj për mosdeklarim të pasurisë.
Ajo tha se i vjen mirë që ekziston një ligj i tillë dhe se merr përgjegjësinë e vonesës në deklarim të pasurisë.
Ministrja Hajdari ftoi deputetët që për çdo gjetje karshi saj t’i drejtojnë me shkrim në Prokurorinë e Shtetit.
“Sa i përket deklarimit tim të pasurisë më vjen mirë që ekziston një ligj, unë e marr përgjegjësinë e vonesës në deklarim dhe më vjen mirë që nuk ngritet një akuzë për mua për vjedhje për shpifje, për shfrytëzim të parasë publike, për votat parlamentare tuaja, për zgjedhje e për të gjitha tjerat. Besoj për këtë dhe gjetjet tjera që i keni për mua iu lutem i drejtoni me shkrim edhe në prokurori, më auditoni ju mirëpres”, tha ajo.
Këto komente ajo i bëri pas akuzave që ia bëri, deputeti I PDK-së, Ferat Shala i cili u shpreh se nuk mund t’i besojnë një ministreje e cila edhe vetë e mashtron shtetin duke mos deklaruar pasurinë e saj.