Në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka raportuar ministrja Rozeta Hajdari, për planin e ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për vitin 2021, raporton Ekonomia Online.
Hajdari tha se sipas planit të ministrisë kanë për qëllim arritjen e pesë objektivave.
Ajo është ankuar se në ministri ka gjetur shumë mungesa, duke thënë se “politikat e ligjet për shumë sektorë nuk ekzistojnë”.
Disa prej objektivave sipas Hajdarit janë përmirësimi i mjedisit i të bëri biznes si dhe nxitja e investitorëve të huaj.
Hajdari shtoi se janë në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësisë për themelimin e Gjykatës Komerciale.
“Ne kemi trashëguar një sistem të shthurur në ministri dhe politikat për shumë ligje nuk ekzistojnë. Ne kemi gjetur një sistem që nuk ka për shumë sektor politika marrim shembull investimet. Sipas planit të ministrisë ne kemi pesë objektiva strategjike”.
“Objektivë e parë është përmirësimi i mjedisit të bërit biznes, nxitja e investimeve të huaja, përmirësimi i mbrojtjes së konsumatorit dhe zhvillimi i politikave tregtare. Në këtë vit masa e parë ka të bëjë me reformat e inspektimeve. Këtë vit jemi me kapacitet dhe buxhet të kufizuar, ne do të shtyjmë ligjin për turizmin. Jemi në themelim të një dokumenti për formimin e Gjykatës Komerciale”.
Mirëpo Hajdari në replikë ndaj kryetarit të Komisionit Ferat Shala, tha se po flet për tri vitet e fundit. Hajdari tha se parashihet që lënda Ndërmarrësisë të kyçet në shkollat fillore.
Ajo tha se këtë vit kanë në plan edhe zbatimin e shumë masave të MSA-së.
“Unë po flas për tre vitet e fundit, fajtor nuk është ministri, por Qeveria. Ligji për investimet strategjike është devijuar në vitin 2018, dhe ne jemi në situatë të pa lakmueshme si Qeveri duke trashëguar disa projekte, duke proceduar aplikimin e investitorët për aprovim në Qeveri”.
“Është synim i ministrisë që të ofrojë bashkëpunim me sektorin privat, derisa ne kemi një rini me shpirt ndërmarrësie është mirë që lënda e ndërmarrësisë të jetë në shkollat fillore. Ne kemi një plan për zbatimin e shumë masave të MSA-së për këtë vit”.
Hajdari tha se kanë trashëguar një udhëzim administrativ të nënshkruar jashtëligjshëm nga ish-ministri Vesel Krasniqi.
“Ne kemi trashëguar një udhëzim administrativ jashtëligjshëm nga ministri Veseli qe ka shkaktuar probleme, që parasheh maskimin dhe monitorimin e karburanteve të naftës, dhe nuk kemi mundur që ta shfuqizojmë komplet”.
Kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se deklarata e Hajdari bie ndesh, pasi që ministrinë e ka udhëhequr edhe Mimoza Kusari-Lila.
Por Shala ka insistuar duke e pyetur Hajdarin “Nuk morëm përgjigje se çka do të ndodhë me investitorët që janë para kualifikuar?”.
“Cilat janë politikat që bien ndesh me politikat nacionale, dhe këto bien ndesh me kolegen tuaj karshi që e keni sepse edhe e ka udhëheq këtë dikaster”.
“Çka do të ndodhë me bizneset që janë para kualifikuar dhe po presin përgjigje. Në programin legjislativ nuk e keni ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe si do të mundeni që ta realizoni”.
Deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka pyetur ministrin Hajdari rreth vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, derisa i tha se Qeveria ka thyer parimin e barazisë.
“Ju keni deklaruar që reciprociteti nuk është zgjidhje, cilët mekanizma dhe për cilat çështje do t’i përdorni”.
Ndërsa ministrja Rozeta Hajdari tha se asnjëherë nuk janë deklaruar se Qeveria nuk do të aplikon reciprocitetin, pasi që ajo tha se është parim i barazisë, raporton EO.
“Është mirë t’i ndajmë çështjes bilaterale dhe asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të zbatojmë reciprocitetin sepse është parim i barazisë dhe si Qeveri Kurti asnjëherë nuk do të largohemi nga çështja e reciprocitetit, ne do të shqyrtojmë sa më mirë”.