Në një koneferencë për medie, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se ka marrë vendim që të bëhet hetim zyrtar për importin e bllokave nga Serbia, raporton Ekonomia Online.
Ditë me parë u raportua se Qeveria ka hequr taksën ndaj bllokave të ndërtimit të importuar nga Serbia, me arsyetimin se ka skaduar masa antidamping e vendosur para pesë vjetësh – ndonëse atë kohë vendimi nuk e parashihte një gjë të tillë.
Hajdari tha se janë analizuar çmimet e shitjes së bllokave me pakicë dhe janë bërë hetimet preliminare ku Komisioni përkatës ka rekomanduar hapjen e hetimeve.
“Të gjeturat e analizës preliminare të kryera nga Departamenti i Tregtisë si pjesë e rivlerësimit të bërë para skadimit të masës mbrojtëse antidamping për bllokat e analizës aktuale, tregojnë që ka elemente se importi i këtyre produkteve nga Serbia po vazhdon të shkaktojë dëme materiale përmes çmimeve damping ndaj industrisë së prodhuesve vendor të materialit ndërtimor nga argjila”, tha ajo.