Politikat zhvillimore të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi dhe në avancimin e bujqësisë si sektor me mjaft potencial. Po ashtu përmes mbështetjes së ministrisë gjatë vitit të kaluar kemi arritur të krijojmë rreth 2600 vende të reja pune në bujqësi.
Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i MBPZhR-së, Kapllan Halimi, gjatë një ligjërate të mbajtur sot para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, me ftesë të udhëheqësve të këtij universiteti.
Ai me këtë rast ka prezantuar të arriturat në bujqësinë në Kosovë, duke potencuar faktin se Qeveria e Kosovës këtë sektor viteve të fundit është duke e trajtuar me mjaft prioritet.
Po ashtu, sekretari Halimi ka treguar se përmes Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Programin për Pagesa Direkte, synojnë rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit të bujqësisë, përmirësimin e jetës së banorëve të zonave rurale, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.
Ai ka thënë se viteve të fundit në kuadër të mbështetjes së MBPZhR-së kanë përfituar një numër i madh i fermerëve të rinj, me ç’rast ai ka treguar se të gjithë të rinjtë që aplikojnë për herë të parë për mbështetje në ministri përmes granteve investive kanë përkrahje shtesë prej 10 për qind, ndërkaq në disa masa mbështetëse përmes granteve ata kanë përkrahje shtesë në investime prej 5 për qind.
Sekretari Halimi ka treguar se me rritjen e investimeve në bujqësi, po krijohet nevoja për profesionistë të rinj që dalin nga drejtimet agro-ekonomike, dhe kjo padyshim ndikon që të diplomuarit në këtë sektor të kenë më shumë mundësi për t’u punësuar.