Nuk do të më befasonte që një hyrje e tillë në një bisedë telefonike me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, mund të kishte pasur Aleksandar Vučić para dy ditësh. Nuk përjashtoj, gjithashtu, as mundësinë që ta ketë kujtuar liderin e ri amerikan se është ai Vučić që, në mënyrë të përulur, gjatë mandatit të tij të parë, u ul në atë karrige të vogël në Shtëpinë e Bardhë dhe atëherë nënshkroi Marrëveshjen e Uashingtonit me palën kosovare. Ndoshta i ka kërkuar edhe falje që atëherë mbështeti Hillary Clinton dhe ka shpresuar se Trump nuk ia ka mbajtur shumë mëri për këtë. Por këtë herë nuk ka gabuar dhe se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, gjatë fushatës zgjedhore, ka pasur mbështetjen më të madhe në Serbi.
Nuk është sekret që Vuçiqi dhe liderët e tjerë serbë e mbështetën hapur Trumpin gjatë fushatës, duke shpresuar se politika e tij do të ndryshonte në Ballkan, duke i kundërshtuar përpjekjet e administratës së mëparshme amerikane për të mbajtur nën kontroll qëllimet ekspansioniste të nacionalistëve serbë kundër shteteve fqinje.
Nga një tjetër “vëlla” më i fuqishëm në botë, qeveria e Serbisë miratoi një kontratë disa milionëshe me dhëndrin e Trump-it, Jared Kushner, për një plan ndërtimi të hoteleve luksoze në qendër të Beogradit, të ndihmuar nga Richard Grenell, ish-i dërguar i Trump-it për Ballkanin. Pra, tashmë duhet të jesh mirë me Trumpin, dhe kjo po i prezantohet opinionit publik serb në stilin që Vučić është një nga dhjetë liderët e parë në botë me të cilët Trump ka folur pas shpalljes së fitores së tij më 6 nëntor. Por nuk është kështu. Vetë Trump ka deklaruar se “ndoshta” ka folur “me rreth 70 liderë,” vetëm që ndër ta nuk ka qenë presidenti serb, i cili vetëm këto ditë erdhi në radhë. Dhe ai nuk e humbi mundësinë të mburret se me Trumpin ka paralajmëruar se do të luftojë për një Amerikë të fuqishme dhe një Serbi dinjitoze, me forcimin edhe më të madh të partneritetit.
Ky poltronizëm, kur bëhet fjalë për Vuçiqin, nuk është asgjë e re, por është tepër naive të mendosh se Trump tani do të korrigjojë dëmin kolateral në marrëdhëniet Serbi-Kosovë apo të merret me komplekset dhe marrëzitë e Vučić-it, që Kurti e nervozon, dhe pikërisht tani ka vendosur të insistojë, fillimisht për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe pastaj të asaj të Uashingtonit. Mos vallë dikush mendon se Trump do të kalojë një mandat të tërë katërvjeçar duke zgjidhur problemet e fiseve ballkanike, aq më pak mosmarrëveshjet e tyre të brendshme, apo duke i bërë jetën më të suksesshme dhe më të lumtur në të ardhmen? Të mendosh kështu, nuk është vetëm e marrë, por edhe një mungesë e theksuar e njohurive politike.
Pra, çfarëdo që të mendojnë serbët, asgjë spektakolare nuk do të ndodhë në Kosovë me ardhjen e Trump-it. As Kosova nuk do t’i kthehet Serbisë, as veriu i Kosovës nuk do të bëhet një Republikë Srpska, as nuk do të ketë ndarje, e as kthim në gjendjen e vitit 2008. Me fjalë të tjera, sovraniteti dhe integriteti shtetëror nuk mund të preken, sepse askush nuk do të lejojë që dikush nga jashtë të shkaktojë trazira të mundshme brenda disa shteteve apo në marrëdhëniet mes vendeve fqinje në Ballkan.
E përsëris, Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka më vend për biseda rreth kësaj çështjeje. Paqe, pajtim, dialog dhe normalizim marrëdhëniesh – po, çdo gjë tjetër përtej kësaj është shkatërrim dhe dështim