Hamasi kritikon Shtetet e Bashkuara për ndryshim të marrëveshjes paraprake

Prishtinë | 20 Gus 2024 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Hamasi akuzoi sot Shtetet e Bashkuara se ka shtuar paqartësitë ngaqë propozimi i tanishëm amerikan për armëpushim në Gazë – për të cilin Sekretari amerikan Antony Blinken deklaroi se është i pranueshëm për Izraelin – dallon nga versioni i mëparshëm me të cilën ishte pajtuar grupi militant. Sekretari Blinken, i cili po qëndron sot për vizitë në Egjipt, tha se ende ekzistojnë “çështje të ndërlikuara”, për të cilat nevojiten “vendime të vështira nga udhëheqësit.” Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se gjeti trupat e gjashtë pengjeve të rrëmbyera në sulmin e Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, që shkaktoi fillimin e luftës në Rripin e Gazës.

Grupi militant palestinez Hamas tha se versioni i fundit i propozimit amerikan për arritjen e armëpushimit në Gazë devijon nga pikat ku ishte arritur pajtim më parë. Hamasi akuzoi Izraelin dhe aleatin e tij, Shtetet e Bashkuara se janë të pasinqertë, duke thënë se propozimi i përditësuar “shkakton paqartësi të shumta” ngaqë “nuk është ai që na është prezantuar dhe as versioni me të cilin jemi pajtuar.”

“Nuk na duhen negociata shtesë, duhet të pajtohemi rreth mekanizmit zbatues. Kur (Sekretari) Blinken thotë se izraelitët janë pajtuar dhe izraelitët thonë se propozimi është përditësuar, kjo nënkupton se administrata amerikane po i nënshtrohet trysnisë nga Izraeli dhe jo e kundërta”, thotë zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan.

Ai akuzoi Izraelin për kushte të reja që bien ndesh me propozimin amerikan, i cili, siç thotë zyrtari i Hamasit, parashihte tërheqjen e plotë të Izraelit përmes dy fazave dhe një armëpushim të përhershëm, ndërkohë që Izraeli po kërkon armëpushim të përkohshëm për gjashtë javë dhe praninë e forcave të tij në dy korridore, përfshirë në vendkalimin kufitar me Egjiptin, sipas zyrtarit të Hamasit.

Reagimi i Hamasit erdhi ndërkohë që Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken takoi udhëheqësit e Egjiptit në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të bindur Izraelin dhe Hamasin që të bien dakord për një marrëveshje që do të ndalonte luftimet 10 mujore në Gazë.

Pas takimit me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën, Sekretari Blinken, i cili i quajti negociatat përpjekjen “e fundit” tha se Izraeli u pajtua me propozimin amerikan, që ka për qëllim të afrojë qëndrimet e palëve dhe i bëri thirrje Hamasit që të bie dakord me planin.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë sqaruar se cilat janë ndryshimet në versionin e tanishëm të propozimit, por zoti Blinken tha se “ende ka çështje të hapura që lidhen me zbatimin” e marrëveshjes si dhe me qartësimin e detyrimeve që dalin nga ajo për palët.

Sipas zyrtarëve të angazhuar në negociata, ekzistojnë mosmarrëveshje rreth pranisë së vazhdueshme të Izraelit në brendësi të Gazës, në veçanti përgjatë kufirit me Egjiptin, rreth lëvizjes së lirë të palestinezëve në Rripin e Gazës si dhe numrin dhe identitetin e të burgosurve palestinezë që pritet të këmbehen me pengjet e rrëmbyera nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit.

Ushtria izraelite njoftoi të martën se forcat e saj i gjetën trupat e pajetë të gjashtë pengjeve në një operacion gjatë natës në jug të Gazës.

Marrja e trupave është një goditje për Hamasin, udhëheqësit e të cilit shpresojnë të shkëmbejnë pengjet për të burgosurit palestinezë, tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe një armëpushim afatgjatë. Por kjo ka të ngjarë të rrisë trysnin mbi qeverinë izraelite për të arritur një marrëveshje për lirimin e dhjetëra pengjeve që besohet se janë ende gjallë.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke u mbështetur në burime egjiptiane të sigurisë, njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një prani ndërkombëtare në Rripin e Gazës, një sugjerim që sipas tyre është i pranueshëm për Kajron nëse mandati i kësaj pranie ndërkombëtare kufizohet deri në gjashtë muaj./voa

Të ngjashme