Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Muhamet Hamiti ka kërkuar nga kandidatët për kryetar të kësaj partie që të shpalosin platformat e tyre deri në ditën kur do të vendoset për kryetarin e ri.
Përmes një shkrimi të gjatë në facebook, Hamiti ka thënë se kandidatët duhet ta bindin anëtarësinë se e dinë pse LDK-ja është katandisur siç ka thënë, kaq keq.
“Kandidatët duhet ta bindin anëtarësinë se e dinë pse LDK-ja është katandisur kaq keq, çka është bërë e s’është bërë, mirë e keq – edhe për meritën a fajin e tyre – çka duhet të bëhet për të kthyer besimin e njerëzve në drejtësinë e synimeve strategjike të LDK-së, të partisë në themelet e shtetndërtimit para e pas lufte. Më tej, si e shohin rrugën përpara për ristrukturim të LDK-së, për kohezion të saj strukturor e ideologjik. Si do të bëjë opozitën fillimisht, që do të jetë punë e vështirë, sepse çkado që të bëjë Qeveria e re do të duket mirë për një kohë në sytë e votuesve entuziastë të saj. Me çfarë platforme, me çfarë programi do të mund të bëhet parti qeverisëse sërish LDK-ja?”, ka shkruar Hamiti.
Ai ka thënë se LDK-ja e Ibrahim Rugovës, ka pasur trinomin “Liri, demokraci, pavarësi” në themele të programit të vet.
“Edhe tash e tutje, në rrethana të reja, në dekadën e tretë të shekullit tonë, LDK-ja duhet të rimëkëmbet si parti antikomuniste, formacion politik që është i lidhur me trollin, me zakonet, me traditën shqiptare dhe me historinë e Kosovës; të punojë për demokraci, kundër kulturës së pushtetit absolut; për Republikën e Kosovës, të pavarur e sovrane, të pacenuar në punë të territorit, si zgjidhje e përhershme”, ka përfunduar Hamiti.
LDK-ja do të mbajë këtë të dielë zgjedhjet ku pritet të zgjidhet kryetari i ri i saj.
Kandidaturat për të parin e LDK-së deri më tani i kanë paraqitur: Anton Quni, Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri e Besian Mustafa.
Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një, të votave të delegatëve.