Hamiti: S’e kam dëgjuar ndonjë zyrtar të VV-së të jetë shprehur kundër shkeljes së Kushtetutës

Prishtinë | 19 Gus 2026 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se ende nuk ka dëgjuar ndonjë zyrtar të VV-së të jetë shprehur kundër shkeljes së Kushtetutës së Kosovës.

Ai ka vlerësuar se për sa kohë shkeljen e aktit më të lartë politik dhe juridik e bën Albin Kurti, ata do të heshtin.

Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka rikujtuar epitetet që Kurti opozitar kishte për ata që e shkelnin Kushtetutën e Kosovës.

“Mbasi s’ka sanksione institucionale për shkelësit e Kushtetutës së Kosovës, këta që lideri i VV-së Albin Kurti kur ishte në opozitë i quante ‘superkriminelë’, ka gjykatë të opinionit publik. Qytetarët që s’pajtohen me shkelje të Kushetutës së shtetit të vet mund ta thonë këtë, madje mund t’i sanksionojnë ‘superkriminelët’ duke i refuzuar me votë në rastin e parë që u jepet. Nëse s’e bëjnë këtë, bëhen etikisht dhe politikisht bashkëfajtorë me shkelësit. S’e kam dëgjuar ndonjë zyrtar apo anëtar të VV-së të jetë shprehur kundër shkeljes së Kushtetutës së Kosovës apo të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese për sa kohë që shkeljet i bëjnë Albin Kurti me të vetët. Me dhjetëra herë deri tash. E gjykata e opinionit publik ku mbeti?”, ka shkruar ai.

Të ngjashme