Hamza: Idrizi i ka të gjitha dyert e hapura për zhvillimin e Mitrovicës

Prishtinë | 19 Tet 2017 | 12:31 | Nga

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, i ka të gjitha dyert e hapura dhe gjithë mbështetjen e duhur për ta realizuar programin e saj për zhvillimin e Mitrovicës. Kështu tha ministri i Financave, Bedri Hamza, në një takim me punëtorë të arsimit dhe shëndetësisë në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Sipas tij, Valdete Idrizi e ka në dispozicion buxhetin komunal, grandet qeveritare dhe fondet e jashtme. “Ajo e ka besimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ajo e ka besimin e qytetarëve mitrovicas, prandaj do të bëj Mitrovicën më të mirë për të gjithë ne”.

Në takim foli edhe nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ua përkujtoi të pranishmëve se në kohën e qeverisjes së PDK-së në Mitrovicë janë investuar 100 milionë euro, ndërsa në mandatin e fundit vetëm 8 milionë. “Atë vrull milionësh të investimeve në Mitrovicë mund ta rikthej vetëm PDK-ja dhe Valdete Idrizi”, tha ai.

Ndërsa, kandidatja Valdete Idrizi, u shpreh shumë e lumtur për mbështetjen e fuqishme nga punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë, si dhe nga të gjithë qytetarët mitrovicas. “Do ta ndërtojmë një qeveri komunale me njerëzit më të mirë që ka Mitrovica, një qeveri transparente dhe llogaridhënëse, një qeveri që e vendos qytetarin në qendër”.

Në kuadër të aktiviteteve për zgjedhjet e 22 tetorit, kandidatja Idrizi e shoqëruar nga kryetari i Degës sëPDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë zhvilluar takime edhe në Iliridë, Bair, Frashër etj. Ndërsa të enjten (19 tetor) në palestrën e sportit “Minatori”, prej orës 17:30 mbahet tubimi përmbyllës, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme